2007-01-17 18:07:46

Kreu i UNMIK-ut në Romë takohet me Ministrin e Jashtëm italian.


(17.01.07 RV) Kreu i UNMIK-ut në Kosovë, Joakim Ryker është takuar sot në Romë me zv.kryeministrin e ministrin e jashtëm italian, Masimo D’Alema. Gjendja e Kosovës, në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe para shpalljes së propozimeve për statusin, ka qenë në qendër të bisedimeve mes tyre. Janë shqyrtuar gjithashtu edhe niveli i sigurisë në vend dhe përparimet që janë bërë në sektorët e përgjegjësisë së UNMIK-ut në Kosovë. Italia ripohon impenjimin e saj në vend.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Majkël Polt ka deklaruar se Kosova është guri i provës së Serbisë në rrugën drejt Bashkimi Evropian. Por nëse Prishtina nuk merret vesh me Beogradin, as Kosova s’mund të pretendojë për integrim në strukturat e Brukselit.
Sipas gazetës franceze “Lë Mond”, kryenegociatori Marti Ahtisari do ta paraqesë propozimin e tij për statusin më 26 janar. Gazeta citon Komisarin evropian për zgjerimin, Oli Ren, i cili ka theksuar se nënshkrimi i Marrëveshjes për stabilizim-asociim me Serbinë varet nga qëndrimi që Beogradi do të mbajë ndaj Kosovës. Bashkimi Evropian do të mundohet të zgjidhë çdo problem të mundshëm me Rusinë, përkrahësen historike të serbëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.