2007-01-17 17:15:52

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: rruga e bashkimit të të krishterëve është e vështirë, por në të prin vetë Zoti.


(17.01.2007 RV)RealAudioMP3 Bashkimi i plotë i të krishterëve të konfesioneve të ndryshme dhe forcimi i besimit reciprok e i bashkëpunimit ndërmjet hebrenjve e të krishterëve për paqen në botë ishin dy temat e mëdha që preku Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, në praninë e gjashtëmijë besimtarëve e shtegtarëve nga vende të ndryshme të botës. Benedikti XVI foli për Javën e lutjes kushtuar bashkimit të të krishterëve, që do të filllojë nesër e do të përfundojë më 25 janar, ditë në të cilën do të mbyllet solemnisht nga vetë Papa me një kremtim ekumenik të lutjeve të mbrëmjes në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë mureve.
Rruga është e gjatë e aspak e lehtë, por dëshira e atyre që duan të ecin në të është e sinqertë e sidomos, është e madhe ndihma mbi të cilën mund të shpresojnë, ndihma e Zotit. Kështu u shpreh Papa, duke pasur parasysh objektivin e madh të bashkimit të plotë të të krishterëve e duke i ftuar besimtarët të bashkojnë zërat në Javën e lutjes që i kushtohet çdo fillimviti, të cilën Ati i Shenjtë e quajti ‘kohë e fortë impenjimi’. E lutje Benedikti XVI kërkoi edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve, sepse thellimi i bashkëpunimit mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare për paqen në botë.
Duke uruar të bëhen hapa të dukshme në rrugën e bashkimit të plotë e të përkryer ndërmjet të gjithë ndjekësve të Krishtit – Papa pohoi se gjatë takimeve që ka pasur këto vite me përfaqësuesit e Kishave e të bashkësive të ndryshme kishtare, ka vërejtur sesa e fortë është dëshira për bashkim e më pas kujtoi me emocion të veçantë takimin me patrikun Ekumenik Bartolomeu I në Stamboll të Turqisë. Duke premtuar se do të flasë përsëri mbi këtë përvojë të mërkurën e ardhshme, Benedikti XVI theksoi:
“Rruga e bashkimit mbetet sigurisht e gjatë e dhe jo e lehtë. Megjithatë duhet të mos e humbasim guximin e të vijojmë ecjen, duke u mbështetur në radhë të parë në ndihmën e Atij që, para se të nisej për në qiell, u premtoi të vetëve: “Ja, unë jam me ju gjthmonë, deri në të sosur të botës!”. Bashkimi është dhuratë e Zotit e fryt i veprmit të Shpirtit të tij, prandaj ka shumë rëndësi të lutemi. Sa më shumë i afrohemi Krishtit, duke u bërë një me dashurinë e tij, aq më tepër i afrohemi edhe njëri-tjetrit”.
E këtu Papa hapi një kllapë. Në Itali, ashtu si edhe në vende të tjera – tha Ati i Shenjtë – 17 janari është edhe dita tradicionale e reflektimit për marrëdhëniet hebraiko-kristiane. Qëllimi i këtij reflektimi – kujtoi Benedikti XVI- është thellimi i marrëdhënieve të miqësisë së anasjelltë ndërmjet dy feve; e edhe për të arritur në këtë cak – shtoi Papa- duhet vëmendje e lutje:
“Miqësia hebraiko-kristiane, që të rritet e të japë fryte, duhet të bazohet mbi lutjen. I ftoj prandaj të gjithë t’i drejtojnë lutje të vazhdueshme Zotit që hebrenjtë e të krishterët ta respektojnë e ta nderojnë njeri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për drejtësinë e paqen në botë”.
Por Lutja për bashkimin e të krishterëve nuk mund të kufizohet vetëm në një ditë të vetme gjatë gjithë vitit – kujtoi Papa – dhe në vijim i shpjegoi turmës, mbledhur në Sallën e Palit VI, kuptimin e temës së Javës për bashkimin e të krishterëve 2007: “Po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët”. Çdo i krishterë, shpirtërisht i shurdhër e memec për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, me Pagëzimin – nënvizoi Benedikti XVI – merr dhuratën e Effatà, dmth bëhet i aftë të dëgjojë fjalën e Zotit e t’ia kumtojë edhe vëllezërve:
“Kjo temë, duke nxjerrë në pah dy aspekte të misionit të çdo bashkësie të krishterë: kumtimin e Ungjillit dhe dëshminë e dashurisë së krishterë, nënvizon edhe sesa e rëndësishme është që mesazhi i Krishtit të shprehet me nisma konkrete solidariteti. Kjo ndihmon ecjen në rrugën e bashkimit e ne mund të themi se çdo ndihmë, sado e vogël, që të krishterët i japin së bashku të afërmit që vuan, kontribuon për ta bërë më të dukshëm edhe bashkimin dhe besnikërinë e tyre ndaj urdhërit të Zotit”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme të botës, Benedikti XVI përshëndeti në mënyrë të veçantë ipeshkvijtë e Kampanies, që këto ditë vijojnë vizitën e tyre ‘ad Limina’; përfaqësuesit e policisë dhe funksionarët e Ceremonialit të Trupit Diplomatik të Republikës Italiane, të cilëve u shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e tyre që në fillim të papnisë si dhe për impenjimin e zellshëm në ditët e salikimeve të Gjon Palit II. Duke dalë nga Salla e Palit VI, gjatë një takimi të shkurtër, Benediktit XVI iu paraqit Enciklopedia Filozofike Bompiani. E promovuar nga Studimet Filozofike të Gallarates, me frymëzim të krishterë, Enciklopedia e re filozofike e Bompianit, vepër me 12 vëllime e 11 mijë zëra, u paraqit sot pasdite në në Sallën e madhe mbledhjeve, pranë Universitetit Gregorian në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.