2007-01-16 18:26:28

Rusia do të përdorë veton nëse statusi i Kosovës nuk u pëlqen serbëve.


(16.01.07 RV) Rusia ka ndërmend të përdorë veton nëse zgjidhja për statusin e Kosovës, që do të paraqitet nga Marti Ahtisari në ditët e para të shkurtit, nuk do t’u pëlqejë serbëve. Ky është premtimi që presidenti rus Putin i ka dhënë në një bisedë telefonike të zhvilluar dje, kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Gjithashtu, në një konferencë shtypi, Ministri i Jashtëm rus Lavrov ka deklaruar se Rusisë nuk i intereson se ç’emër do t’i vihet statusit të ardhshëm të Kosovës. E rëndësishme është se si do të reagojnë palët ndaj tij. Sipas dipllomacisë ruse, duhet evituar imponimi i statusit nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërkaq, Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq ka shprehur idenë se në rast se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e pranon pavarësinë e Kosovës, edhe qytetarët e Republikës serbe në Bosnjë do të kishin të drejtë për vetëvendosje dhe pavarësi.


Pas mbledhjes së djeshme të ambasadorëve të Evropës Juglindore në Ministrinë e jashtme italiane në Romë, sot përfundoi konferenca me temë: “Perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor: roli i Italisë”. U fol kryesisht për problemet që mund të sjellë përcaktimi i statusit të Kosovës, në një zonë që konsiderohet si vatër paqëndrueshmërie për rajonin. Serbisë iu kërkua të mos jetë nostalgjike ndaj së kaluarës.







All the contents on this site are copyrighted ©.