Papa emëron nunc në Sudan, imzot Leo Bokardin, duke theksuar kujdesin për Darfurin.
(16.01.2007 RV) Imzot Bokardi, 53 vjeç, nga Molise e Italisë, shuguruar meshtar
në vitin 1979, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 1987. Deri tani
ka kryer misionin e vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Agjensisë
Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIE) dhe Organizatës për Siguri e Bashkëpunim
në Evropë (OSBE). Ka qenë edhe vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shentjë pranë Organizatës
së Kombeve të Bashkuara për zhvillim industrial dhe organizmave të tjera të rëndësishme
ndërkombëtare. Fillimet e misionit të tij diplomatik e çuan në përfaqësitë papnore
në Ugandë, Papua-Guinea e Re, Belgjikë e tani, në Sudan, vend afrikan ku është përqëndruar
vëmendja e Benediktit XVI, posaçërisht për dramën e Darfurit, ku popullsia vendase,
me shumicë animiste, po pëson pasojat tragjike të ndeshjes ndërmjet guerriljes dhe
ushtrisë të qeverisë qendrore të Khartumit, arabe e myslimane. Mijëra njerëz kanë
vdekur, mijëra të tjerë janë shpërngulur për shkak të shkeljeve të panumërta të të
drejtave të njeriut në këto troje të martirizuara. Bashkësia ndërkombëtare – tha Papa
më 8 janarin e kaluar, në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik akredituar pranë Selisë
së Shenjtë – duket e pafuqishme për të gjetur rrugëzgjidhje politike e për të lehtësuar
vuajtjet që pëson popullsia e këtij vendi. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të veprojnë
me vendosmëri. Nuk mund të pranojmë – nënvizoi Benedikti XVI – që njerëz të tjerë
të pafajshëm të vuajnë e të vdesin. Mbi situatën në Darfur, të ndjekim dëshminë
e imzot Qezar Macolarit, ipeshkëv i Rumbekut në jug të Sudanit: Përgjigje:
- Situata vijon të jetë katastrofike, e padurueshme, sepse nuk duket asnjë rreze
shprese për sigurimin e traktatit të vërtetë të paqes, që do të krijonte kushtet për
arritjen e ndihmave. Ndërsa pjesa tjetër e vendit është pak a shumë e qetë. Në jug
ka përfunduar lufta, por mbretëron pakënaqësia për rezultatet e paqes. Priteshin rezultate
më të mira në ndërtimin e strukturave të bazës dhe në ndihmën që u duhej dhënë njerëzve
në sektorin e shëndetit, të arsimit etj, etj. Pyteje: - A shpresoni se një
ditë në këtë vend do të sigurohet paqja e qëndrueshme, duke pasur parasysh larminë
e madhe etnike e fetare? Përgjigje: - Ne vijojmë të shpresojë në këtë paqe,
duke e ditur se duhet ta fitojmë. E kjo fitore është e vështirë, për shkak të varfërisë
së jashtzakonshme e edhe sepse paqja, së paku në Jug, është siguruar, po ne nuk ishim
gati për ta pritur, nuk kishim burime të mjaftueshme njerëzore për zhvillimin, për
administrimin e mirë, për një ndarje vërtetë të barabartë të pasurive të vendit.