2007-01-16 17:59:35

241-vjetori i hapjes së njerës nga shkollat e para shqipe: asaj të Janjevës e të Trepçes.


(16.01.2007 RV)Sipas të dhënave historike dhe gojore, më 16 janar 1766 duhet të jetë hapur shkolla shqipe e Janjevës dhe e Trepçes. Ishte një nga shkollat e para, të vogla, shqipe, që hapeshin për t'i bërë ballë presionit të islamizimit të vendit e që siguronin komunikimin ndërmjet misionarëve të Kishës katolike dhe popullsisë vendase, duke luajtur një rol të dorës së parë në mbrojtjen e fesë së krishterë nga rreziku i thellimit të apostazisë, e jo më pak, duke edukuar, duke thelluar e duke transmetuar ndjenjat e flakta kombëtare.
Shkolla u themelua nga Ipeshkvi i Madh i Shkupit, Imzot André Bogdani, i cili për nevojat e mësimit të shqipes në shkollën e tij, iu vu punës dhe nisi të hartojë edhe tekstet e para, si fjalori e gramatika, pa të cilat as që mund të mendohej vijimi i një shkolle të rregullt. Dhe gjithë kjo, në kushte të tmerrshme, kur nga përndjekja e turkut i duhej ta mbyllte tash e parë mësonjëtoren e të fshihej, me një thes librash e dorëshkrimesh, ndër shpellat e bjeshkëve veriore, duke pritur kohë më të mira.
E nuk ishte përpjekja e parë kjo: para saj, më 1632 meshtarët katolikë patën hapur shkollën e Kurbinit në afërsi të Krujës, që aso kohe i përkiste vilajetit të Shkodrës. Mësohej shkrim e këndim shqip. Si tekste përdoreshin veprat e Bardhit, Budit e Bogdanit. Ndërsa shënonte sukseset e para, shkolla u mbyll nga pushtuesi osman, që ia kishte frikën më shumë armës së kulturës, sesa shpatave e topave.
Ishin farët e para të dritës që hidheshin në truallin e palëruar shqiptar, nga të cilat më vonë do të mbinin e do të rriteshin shkollat të tjera kishtare e civile, si shkolla françeskane në Shkodër, e cila përdori që heret shqipen si gjuhë kryesore mësimi - tek ajo që vijon të njihet zyrtarisht si shkolla e parë shqipe, hapur në Korçë më 7 mars 1887 e sa e sa të tjera në veri e në Jug të trojeve shqiptare e edhe më tej, ndër arbëreshtë e Italisë e të Greqisë. Deri tani, për shkak të mohimit të plotë të kontributit të klerit katolik në kulturën kombëtare shqiptare, shkolla si kjo e Imzot Bogdanit e si shkollat tjera themeluar nga Kisha, kanë qenë mohuar. Por ne besojmë se ka ardhur koha për rishikimin e historisë së shkollës shqipe, e cila duhet t'ia kthejë të drejtën e grabitur atyre që meritojnë të quhen pionierë të shkollës shqipe, sepse ashtu qenë vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.