2007-01-15 18:04:50

Varjet tjera në Irak sjellin debate të reja mbi dënimin me vdekje.


(15.01.07 RV) RealAudioMP3 Ekzekutimet e reja në Irak ndezin sërish debatin mbi dënimin me vdekje. Zëdhënësi i qeverisë irakiane konfirmoi sot se dy të akuzuarit, bashkëpunëtorë të Sadam Huseinit, janë varur në orët e para të mëngjesit në Bagdad.
Gjysëm-vëllai i Sadamit Barzan Ibrahim, ish shef i kundërzbulimit, dhe Auad Hamed al-Bandar, kreu i Gjykatës Revolucionare të Irakut, u shpallën fajtorë bashkë me ish-diktatorin irakian për vrasjen e 148 shiitëve në vitin 1982.
Reagime në të gjithë botën. Kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso e ka dënuar ekzekutimin e sotëm dhe ka ndërmend të punojë me OKB-në për ta hequr dënimin me vdekje në të gjithë planetin. Ndërsa për Shtëpinë e Bardhë Iraku po vendos drejtësinë kundër atyre që kanë kryer krime, kritika vijnë edhe nga Rusia, sipas së cilës këto varje nuk favorizojnë stabilizimin e vendit. Të dëgjojmë Rikardo Nuorin, zëdhënës i Amnesty International për Italinë:
Dënimi me vdekje duhej të ishte hequr nga Kushtetuta e re irakiane. Do të kishte qenë një sinjal i rëndësishëm prishjeje me traditën sadamiste të dhunimit të të drejtave të njeriut. Edhe këto dy dënime me varje erdhën në fund të një procesi të parregullt, janë ekzekutime të shpejtuara e nuk i shërbejnë drejtësisë. Kjo drejtësi u mohohet tani qindra mijëra viktimave që prisnin gjykimin e Sadam Hyseinit dhe të akuzuarve të tjerë në një proces që tani do të vazhdojë pa ta: është procesi për tentim genocidi mbi popullsinë kurde.
Si duhet të veprojë tani me Irakun, Bashkësia Ndërkombëtare?
Problemi më i madh është se shteti që ndjek më nga afër e më nga brenda ngjarjet irakiane, pra SHBA-të, e kanë miratuar këtë ekzekutim, ashtu si të mëparshmin. Prandaj është e vështirë të arrihet një aleancë e gjerë kundër dënimin me vdekje në Irak. Por duhet që Bashkimi Evropian, me vendet që janë të impenjuara në Irak, për shembull Britania e Madhe, që ka një rol në të ardhmen e Irakut, ta ngrejë zërin, sepse deklaratat e kryeministrit Al Maliki një javë më parë, sipas të cilave do të rishikohen marrëdhëniet diplomatike me ato shtete që protestojnë kundër dënimit me vdekje, janë të papranueshme. Ato i referohen një tradite politike të arrogancës, që ishte ajo e regjimit të kaluar. Nga ky këndvështrim, fatkeqësisht, nuk duket se kanë ndryshuar shumë as mënyrat, as metodat e as faktet.







All the contents on this site are copyrighted ©.