2007-01-15 17:29:01

Mbrojtje për emigrantët: këtë kërkoi gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI në Ditën botërore të emigrantit e të refugjatit


(15.01.07 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI theksoi se realiteti i mërgimit nuk duhet shikuar si problem, por si burim pasurie e se shoqëria që i strehon emigrantët, duhet t’ua njohë vlerat.
Realiteti i emigracionit nuk duhet parë kurrë vetëm si problem, por edhe, e mbi të gjitha si burim i madh për zhvillimin e njerëzimit. Këtë theksoi Papa, duke kujtuar të dhënat e fundit statistikore të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave në botën e sotme numrohen 200 milionë emigrantë; rreth 9 milion refugjatë e 2 milion studentë ndërkombëtarë. Duhen llogaritur, pastaj, edhe të shpërngulurit brënda vendit dhe emigrantët e parregullt. E të gjithë e kanë një familje – kujtoi Papa - duke theksuar në vijim se fenomeni është shumë i përhapur dhe i larmishëm. Në çdo rast, Benedikti XVI kërkon respektimin e dinjitetit njerëzor të të gjithë mërgimtarëve, të cilët i porosit të mos harrojnë se e kanë për detyrë të respektojnë vlerat e shoqërisë që i mikpret. Vetëm duke ecur në një rrugë të tillë – nënvizon Papa, mund të realizohet integrimi i familjeve në sistemet shoqërore, ekonomike e politike të vendeve drejt të cilave dynden emigrantët:
Uroj – tha Ati i Shenjtë - të realizohet së shpejti administrimi i ekuilibruar i flukseve të emigrantëve dhe i lëvizjes njerëzore në përgjithësi, në mënyrë që të përfitojë mbarë familja njerëzore, duke nisur nga masat konkrete që favorizojnë emigracionin e rregullt dhe bashkimet familjare, e veçanërisht, nga gratë dhe të miturit”.
Pikërisht familja mërgimtare – nënvizoi Ati i Shenjtë – është burim i posaçëm i të mirave materiale e shpirtërore, kur respektohet si e tillë. Ajo nuk duhet të pësojë shpërbërje të pandreqshme, por duhet të mbetet e bashkuar ose të ribashkohet e ta kryej kështu, si duhet, misionin e vet si djep i jetës e si prehër i parë i edukimit të njeriut. Më pas Papa kujtoi edhe vështirësitë që duhet të kapërcejë familja mërgimtare:
“Shqetësimet, poshtërimet, varfërinë, brishtësinë”
Benedikti XVI kujtoi edhe Mesazhin e tij të posaçëm drejtuar familjes mërgimtare e më pas ftoi që të gjithë të shikojnë në dramën e Familjes Shenjte të Nazaretit, kushtet e dhimbshme të jetës të refugjatëve, mërgimtarëve, të të shpërngulurve, të të persekutuarve.
Mund të shikojmë Familjen e Nazaretit, ikonë e të gjitha familjeve – tha Papa – sepse ajo pasqyron figurën e Hyjit, që ruhet në zemrën e çdo familjeje njerëzore, edhe atëherë kur ligështohet e edhe shpërfytyrohet nga provat e rënda të jetës. Shën Mateu Ungjilltar na tregon - kujtoi Papa – se pak kohë pas lindjes së Jezusit, Shën Jozefi u detyrua të nisej për në Egjipt, duke marrë me vete foshnjën e nënën e tij, për të ikur nga persekutimi i mbretit Herod. Kështu Familja e Nazaretit u bë simbol e mbështetje shpirtërore për familjen mërgimtare.
Ndërmjet shumë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi, në anglisht e polonisht, Ungjillin e së dielës, kushtuar Dasmës së Kanës. Në Meshën shenjte – tha Benedikti XVI duke folur në gjuhën polake – kujtojmë mrekullinë e Krishtit në Kanë të Galilesë dhe porosinë e Nënës së Zotit: “Bëni gjithçka t’ ju thotë!”.
Fjalët e saj janë burim guximi për familjet e emigrantëve, të refugjatëve e dhe për ne të gjithë, sidomos në çaste veçanërisht të vështira të jetës, kur kërkojmë të vërtetën dhe ndihmën e Zotit – theksoi Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Kishën e në shoqërinë polake.Në italisht - një përshëndetje e veçantë drejtuar grupit të të rinjve emigrantë, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga vende të ndryshme të botës, shoqëruar nga ipeshkvi i Kazertës, imzot Rafaele Nogaro.







All the contents on this site are copyrighted ©.