2007-01-13 15:49:28

Dita e 93-të Botërore e emigrantit dhe e refugjatit: Papa kërkon të respektohen dinjiteti dhe të drejtat e emigrantëve.


(14.01.2007 RV)RealAudioMP3 Dita botërore e emigrantit dhe e refugjatit, që u kremtua sot, iu kushtua “Familjes mërgimtare”. Benedikti XVI, në Mesazhin e rastit, flet për kërkesat njerëzore e shpirtërore të emigrantëve e njëkohësisht denoncon shkeljet që vërehen në përpjekjet për të zgjidhur problemin e ndërlikuar të emigracionit. Eshtë një dramë e lashtë ajo që e ushqen me shpresë emergjencën moderne të emigracionit: ikja e familjes së Nazaretit në Egjipt. Benedikti XVI e hap Mesazhin e tij për Ditën e 93-të botërore të emigrantit e të refugjatit me bindjen se Jozefi, Maria e Jezusi, që u detyruan të mërgojnë, janë model, shembull dhe mbështetje për të gjithë emigrantët, shtegtarët e refugjatët që, të shtyrë nga persekutimi ose nga nevoja, detyrohen të braktisin vatrat e tyre, të largohen nga atdheu, nga të dashurit, të afërmit, miqtë drejt viseve të huaja. Prerje e lidhjeve familjare, shpërdorime nga ana e organizatave që sundojnë tregun e skllevërve të rinj, integrim i ndërlikuar në vendet ku synojnë të gjejnë një jetë më të mirë. Këto janë rreziqet tipike para të cilave ndodhet njeriu që zgjedh ose shtrëngohet të ndjekë rrugën e mërgimit. Është një front jashtzakonisht i gjërë, në të cilin Kisha përpiqet të luftojë gjithnjë me armën e solidaritetit.
Po kujtojmë vetëm disa shifra, përmes të cilave mund të përceptohen përmasat e përgjithshme të fenomenit, por edhe hollësitë e tragjedive individuale që e përbëjnë. Sot numri i emigrantëve në botë ka arritur në 200 milionë, 49% e të cilëve janë gra. Komisariati i Lartë i OKB-së ndihmon 20 milion vetë – 9 milion nga të cilët janë refugjatë. 4 milion janë vetëm palestinezët që asistohen nga Agjensia e OKB-së, ndërsa në Jug të botës vijojnë të jetojnë ndër kampe refugjatësh 9 milionë të shpërngulur nga vatrat e tyre. Për të favorizuar integrimin, Benedikti XVI inkurajon ratifikimin e Konventës ndërkombëtare 2003, që mbron të drejtat e punëtorëve emigrantë, si dhe marrjen e masave ligjore e shoqërore nga ana e qeverive. Në rast të mungesës së tyre, familjet e shtypura nën barrën e vështirësive të integrimit, përdorin mekanizmat e tyre të mbijetesës, që pengojnë zhvillimin e harmonishëm. Duhen inkurajuar njerëzit e shkatërruar shpirtërisht ta rifitojnë besimin në vetvete – thekson Benedikti XVI dhe vijon: Duhet pastaj edhe impenjimi që të garantohen të drejtat dhe dinjiteti i familjeve dhe t’u sigurohet një strehë në përkim me kërkesat e tyre. Ndërkaq nga refugjatët duhet kërkuar të sillen mirë në shoqërinë e re që i strehon. Papa i porositë kishat vendase të punojnë në të gjitha fushat baritore, përfshirë edhe atë të studentëve të huaj – duke pasur parasysh porosinë e Shën Palit: “Caritas Christi urget nos”, “Dashuria e Krishtit na nxit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.