2007-01-12 17:23:49

“Të gjithë jemi të thirrur për të qenë roje të të afërmit tonë”: porosi e Benediktit XVI në audiencën me Inspektoriatin e Përgjithshëm të Sigurimit Publik pranë Vatikanit.


(12.01.2007 RV)RealAudioMP3 Duhet t’i qëndrojmë pranë të afërmit si në çaste gëzimi, ashtu edhe në çaste vështirësish - e porositi Papa personelin e Inspektoriatit të Përgjithshëm të Sigurimit Publik pranë Vatikanit. Gjatë këtij takimi tradicional, Ati i Shenjtë vlerësoi lart shërbimin e policisë në vende, që janë zemra e Romës së krishterë.
Uroj që çdo njeri të ndihmohet e të ruhet nga ju e të ketë mundësi të marrë pjesë në trashëgiminë e madhe shpirtërore të bashkësisë së krishterë – tha Papa gjatë takimit të sotëm dhe në vijim vlerësoi lart impenjimin e policëve për ruajtjen e vendeve dhe kujdesin për njerëzit. Kjo ruajtje e ky kujdes – nënvizoi Papa – janë pikërisht elementet themelore për të kuptuar vlerën e detyrës që u është ngarkuar punonjësve të sigurimit publik:
“Keni detyrë të ruani e të mbikqyrni vende që kanë një vlerë të paçmuar për kujtesën e fesë së miliona shtegtarëve; vende që përmbajnë thesare të historisë e të artit, vende ku, mbi të gjitha, permes një misteri të pashqyrtueshëm, realizohet takimi i gjallë i besimtarëve me Zotin Jezus”.
Shtegtarët – shtoi Papa – hapin këtu zemrat për takimin me Zotin e vërtetë e jetëdhënës. Prej këndej Benedikti XVI i nxiti besimtarët ta ndihmojnë gjithnjë të afërmin, që kalon çaste të vështira:
“Jemi të thirrur të gjithë ta ruajmë të afërmin tonë. Zoti do të na kërkojë llogari për detyrën që na ka besuar, për të mirën ose të keqen që u kemi bërë vëllezërve tanë, do të na pyesë në se i kemi shoqëruar me vëmendje në jetën e përditshme, duke marrë pjesë në ankthet dhe në gëzimet e zemrës së tyre; në se u kemi qëndruar pranë në mënyrë të përmbajtur, por të përhershme, në shtegtimin e tyre e në se i kemi ndihmuar e mbështetur në të përpjetat raskapitëse të jetës”.
Të dashur miq – vijoi Ati i Shenjtë - ta mbartim së bashku me durim barrën e njëri-tjetrit, ta jetojmë bashkarisht gëzimin që buron në zemrat tona, kur mendojmë se i përkasim Zotit e të jetojmë gjithnjë nën dritën e Ungjillit të Tij, fjalë e së vërtetës, që shëlbon. Së fundi Papa iu lut Virgjërës Mari që në fillim të vitit e në të gjithë ditët e tij, të mund të duam, të gëzohemi e të jetojmë në fenë e Birit të Zotit, duke ia besuar atij të Lumit çdo trishtim, çdo ankth e shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.