2007-01-12 17:29:57

Shenjti i ditës: Shën Arkadi martir.


(12.01.2007 RV)Duke shfletuar kalendarin e sotëm kishtar, na kujtohen menjëherë fjalët e Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, kushtuar persekutimit e misionit. Mbytja e Shën Shtjefnit me gurë – kujtoi Papa - shënon fillimin e salvimit kundër ndjekësve të Krishtit, të cilët asokohe nisën të dalin nga Jeruzalemi për t’u kumtuar, për herë të parë, Ungjillin paganëve.
Në historinë e Kishës nuk do të mungojë asnjëherë persekutimi, por pikërisht ky persekutim bëhet burim i misionit. Fjalët e Papës i vërtetojnë plotësisht dy martirët që po përkujtojmë sot: njëri, Shën Arkadi, martir i persekutimit të fundit pagan në Afrikë, në vitet 304; tjetri, Dom Pjetër Gruda, martir i persekutimit komunist në Shqipëri, vetëm pak vjet më parë:
“Kryqi mbetet gjithnjë në qendër të jetës së Kishës”- tha Benedikti XVI në audiencën e dytë të vitit 2007, por ai lidhet ngusht me misionin. Mbytja e Shën Shtjefnit me gurë, na kujton frazën e famshme të Tertulianit: ‘Ne, të krishterët shumfishohemi, sa herë që ju na korrni: është farë e hedhur gjaku i të krishterëve!”.
Po shfletojmë, pra, kalendarin, për të kujtuar Shën Arkadin
Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan. Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë. U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë.Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar, ndërsa në martiriologët lindorë emri i tij nuk përmendet. Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.