2007-01-12 17:42:19

Human Rights Watch: BE-ja të bëhet mbrojtës i flaktë i të drejtave të njeriut në botë.


(12.01.07 RV) Bëhet i ditur raporti vjetor i organizatës së mirënjohur të të drejtave të njeriut Human Rights Watch (Hjumën Rajts Uoç), ku i kërkohet Bashkimit Evropian të bëhet mbrojtësi më i madh i të drejtave të njeriut në botë.
Sipas organizatës, Brukseli duhet të plotësojë boshllëkun e lënë nga humbja e besueshmërisë së SHBA-ve në fushën e të drejtave të njeriut. Vetë raporti u bë i njohur dje, në 5-vjetorin e hapjes së burgut amerikan të Guantanamos. Sipas të dhënave të BBC-së, të burgosurit e Guantanamos, tani që e gjithë bota i kërkon Uashingtonit ta mbyllë, janë të destinuar të shkojnë në Shqipëri. Kësaj here, Raporti i Hjumën Rajts Uoç nuk flet për Shqipërinë, por mund të dëgjojmë për Tiranën ndoshta në vitet e ardhshme.
Në qendër të kritikave, Kina dhe Rusia. Gjatë vitit të kaluar në Kinë është keqësuar shumë zbatimi i të drejtave të njeriut dhe programet e ndihmës për jashtë të Pekinit u zgjasin jetën diktatorëve të planetit. Situatë e keqësuar edhe në Rusi, për të cilën vihet në dukje vrasja e gazetares Ana Politkovskaja. Kuadri më urgjent mbetet Darfuri, ndërsa regjistrohet një keqësim edhe në Irak, me rritjen e dhunës ndërmjet besimtarëve të rrymave të ndryshme të Islamizmit. Hjumën Rajts Uoç përmend edhe Lindjen e Mesme, Afganistanin, Iranin e Arabinë Saudite për dhunime të të drejtave të njeriut në fusha të ndryshme. Së fundi, për t’u shënuar, Koreja e Veriut, ku të drejtat themelore vazhdojnë t’u mohohen krejtësisht popullsisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.