2007-01-12 17:37:57

Dita Botërore e Emigrantit dhe Refugjatit. Me ne sekretari i Këshillit përkatës papnor.


(12.01.07 RV)RealAudioMP3 Të dielën më 14 janar, kremtohet Dita botërore e emigrantit dhe e refugjatit. Papa Benedikti XVI ka bërë të ditur prej kohësh Mesazhin e tij për këtë ditë, i cili ka pasur jehonë edhe në Kishën shqiptare. Në dioqezën e Jugut, për shembull, ai u është shpërndarë besimtarëve. Sekretari i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, kryeipeshkvi Agostino Marketo flet për këtë mesazh në mikrofonin tonë:
Mesazhi Papnor për Ditën e 93-të Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit ka si temë “familjen emigrante”. Ai, në çastin e paraqitjes, ka pasur një jehonë të rëndësishme në mjetet e komunikimit, sepse argumenti që trajton është i një aktualiteti urgjent. Në fakt, pasi tërheq vëmendjen mbi vështirësitë që duhet të përballojë sot institucioni i familjes, Papa ripohon impenjimin e Kishës në mbrojtje të saj dhe i fton të gjithë të kujdesen e të promovojnë familjen, sidomos në kontekstin e emigracionit, në kampet e refugjatëve dhe në kushtet delikate e nganjëherë shumë të vështira të studentëve të huaj. Flitet për gati 200 milion emigrantë për arësye ekonomike, për rreth 9 milion refugjatë e rreth 2 milion studentë të huaj. E pastaj, janë të zhvendosurit, ata që shfrytëzohen nga trafikët e qenieve njerëzore, etj..
Konkretisht, cilat janë sugjerimet që jep Mesazhi?
Papa përmend qartë Konventën Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve emigrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, e cila formalizon një kornizë mbrojtjesh që shtrihet edhe mbi familjen. Ati i Shenjtë inkurajon ratifikimin e saj. Por kjo kornizë duhet plotësuar nëpërmjet direktivave specifike legjislative, juridike dhe administrative e sidomos, nëpërmjet një rrjeti shërbimesh, shoqatash, qendrash dëgjimi e asistence shoqëroro-baritore, të cilave u referohet gjithashtu Mesazhi.
Pra, kemi të bëjmë me iniciativa të përcaktuara mirë. Cilat janë motivet që i mbështesin ato?
Aktivitetet që përmendëm, në fakt, nuk janë qëllim në vetvete, por kanë në qendër personin njerëzor. Vetëm njohja e dinjitetit njerëzor të të gjithë emigrantëve, nga njëra anë, dhe njohja nga ana e vetë emigrantëve e vlerave të shoqërisë që i mirëpret, nga ana tjetër, bëjnë të mundur integrimin e drejtë të familjeve në sistemet shoqërore, ekonomike dhe politike të vendeve ku shkojnë. E këtu duhet marrë parasysh edhe përmasa fetare. Prandaj, një administrim i drejtpeshuar i flukseve të emigrantëve në përgjithësi mund t’i sjellë përfitime krejt familjes njerëzore, në kuadrin e një rendi të ri botëror, duke filluar nga masa konkrete që favorizojnë emigracionin e rregullt dhe bashkimet familjare, duke mbrojtur sidomos gratë e fëmijët. Gjithsesi, edhe këtu, të drejtat e njeriut janë në bazën e paqes dhe të zhvillimit të gjithanshëm të personave e të popujve.
Ati i Shenjtë tërheq vëmendjen mbi kushtet e vështira të familjeve të refugjatëve. Një koment për këtë pikë, Shkëlqesi?
Sot ekziston prirja që të mbrohet rendi dhe mirëqënia nga kërcënimi, që shumë mendojnë se vjen nga të huajt, si emigrantë, ashtu edhe refugjatë. Prandaj, edhe për këta të fundit, që kërkojnë mbrojtje nga dhuna e nga rreziku për jetën, po përhapet një pikpamje negative, e ushqyer nga tensionet politike dhe shoqërore, kundër legjislacionit ndërkombëtar, pikpamje që mediat nuk e marrin parasysh. Kjo dëmton edhe bashkimet familjare. Njëkohësisht, nuk ka një financim të përshtatshëm për asistencën humanitare, gjë që keqëson kushtet e jetesës në kampet e refugjatëve, sidomos për gratë dhe fëmijët, duke lehtësuar kështu rrezikun e abuzimeve të neveritshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.