2007-01-11 17:54:51

Takim i jashtzakoshëm i ipeshkvijve polakë për çështjen Vielgush


(11.01.2007 RV)Nesër në Poloni do të mbahet takimi i jashtzakonshëm i Konferencës ipeshkvnore polake për të diskutuar mbi ngjarjet e ditëve të fundit dhe mbi dorëheqjen e imzot Stanisau Vielgush.
“Situata e Kishës në Poloni, pas ngjarjeve të ditëve të fundit”. Me këtë rend dite do të mbahet nesër në Varshavë mbledhja e thirrur nga Kryetari i Konferencës ipeshkvnore polake, imzot Jozef Mihalik, takim i jashtzakonshëm i Këshillit të përhershëm të episkopatit me ipeshkvijtë dioqezanë. Njoftimin e jep Zyra e Shtypit e Konferencës ipeshkvnore. “Duke parë atë që ndodhi – pohon imzot Mihalik – duhet të falënderojmë përvujtnisht Zotin sepse, pavarësisht nga të gjitha, fitoi e vërteta. Duhet ta falënderojmë Zotin që imzot Vielgush vendosi të japë dorëheqjen e edhe për pranimin e kësaj dorëheqjeje nga ana e Benediktit XVI, që ndikoi në krijimin e një situate të shëndetshme”. Imzot Mihalik – njofton Agjensia SIR – nënvizoi edhe se si për të krishterin, ashtu edhe për meshtarin apo ipeshkvin, ekziston një etikë e vetme. Gënjeshtra është gjithnjë e keqe. Gjë e keqe është edhe të bashkëpunosh me njerëz të pandershëm në shërbim të një çështje të pandershme.Ndërkaq toni i lajmeve që kanë të bëjnë me çështjen e imzot Vielgush, thellon shqetësimin e gazetarëve katolikë polakë të cilët, përmes një thirrjeje të posaçme, kërkojnë të respektohen rregullat e profesionit. Të njëjtën gjë bën edhe nunci apostolik në Poloni, imzot Jozef Kovalçuk, i cili thekson se mediat duhet ta ndjejnë thellë përgjegjësinë e tyre për mënyrën e zbulimit të përmbajtjes së dokumenteve të regjimit komunist, për të mos i dëmtuar më kot njerëzit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.