2007-01-11 17:55:43

Përkujtojmë imzot Mark Sopin në kryevjetorin e vdekjes


(11.01.2007 RV) Një vit më parë, më 11 janar 2006, në Prishtinë, i goditur nga një infarkt i papritur, vdiq ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi. Pas salikimeve në katedralen e Prizrenit, u varros më 14 janar në famullinë e lindjes së tij në Binçë të Vitisë.
Imzot Sopi lindi më 26 shkurt 1938 në Prizren; u shugurua meshtar më 29 qershor 1968, u zgjodh ipeshkëv titullar i Celerinës dhe u emërua ipeshkëv ndihmës i Shkup-Prizrenit më 2 nëntor 1995. U shugurua nga Papa Gjon Pali II në Vatikan më 6 janar 1996.
Prelati ndërroi jetë në një periudhë të veçantë historike për Kosovën e për Kishën katolike në këto troje, kur ndjehej fort nevoja e përkushtimit të tij për zgjidhjen e problemeve më të mprehta aktuale. Në veprimtarinë e tij apostolike, imzot Sopi ndoqi gjithnjë gjurmët e traditës së Kishës katolike ndër shqiptarë, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen fetare nga ajo atdhetare: “Për Fe e Atdhe” qe motua e veprimtarisë së tij gjatë gjithë jetës, që u këput në mënyrë aq të papritur. Vetë çasti i vdekjes së Tij është thellësisht simbolik: në çastin e goditjes në zemër ai ishte në Prishtinë, ku kishte shkuar të interesohej për ngritjen e katedrales katolike, për të cilën impenjohej në mënyrë të posaçme. Goditjen e parë e pati në Bashki, të dytën, që i solli vdekjen, në prag të spitalit.
Vdekja e imzot Sopit ishte një humbje e rëndë për besimtarët katolikë shqiptarë, për Kosovën dhe për Kishën universale.
Zëri i prelatit është i freskët në arkivin tonë, ku ndërmjet shumë mesazhesh e intervistash, është regjistruar edhe mesazhi i tij, që nuk mendonim kurrë të ishte i fundit: mesazhi drejtuar besimtarëve pak ditë para Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2006, si edhe lutja drejtuar Foshnjës Hyjnore për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët: Të dëgjojmë porosinë e fundit që u la besimtarëve ipeshkvi i ndjerëRealAudioMP3
Por misioni i Kishës vazhdon: më 12 dhjetor të vitit 2006 Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi Administrator Apostolik të Prizrenit (Kosovë) Shkelqësinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.