2007-01-11 17:55:14

Ligji mbi lirinë fetare në Itali: pika për reflektim.


(11.01.07 RV) Në Itali ka filluar debati publik mbi propozimet për ligjin e lirisë fetare, në një moment kur vendi sheh gjithnjë e më shumë emigrantë të feve të ndryshme, në brigjet e veta tradicionalisht katolike. Përpara sfidës multikulturaliste, nëpër të cilën edhe Italia, ashtu si gjithë Evropa, duhet të kalojë pa tjetër, qeveria e Romës ka konsideruar të nevojshme sanksionimin me ligj të të drejtave dhe detyrave për të gjitha fetë, pavarësisht se Kushtetuta italiane është mjaft e plotë në këtë drejtim.
Aktualisht, ekzistojnë dy projektligje, mbi bazën e të cilave po bëhen edhe diskutimet në parlament. Dje, deputetët dëgjuan opinionin e sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, mons. Xhuzepe Betori. Fjala e tij ka shkaktuar debate të shumta në opinion publik e madje, edhe një vlerësim negativ të Ministrit italian për Solidaritetin Shqoëror, Paolo Ferrero, i cili më vonë e ndryshoi qëndrimin. Duke sqaruar pozicionin e Kishës Italiane, po u japim dëgjuesve edhe disa opinione për reflektim, që mund të gjejnë vend në një situatë si ajo e Shqipërisë, ku bashkëjetojnë së paku tri fe kryesore.
Mons Betori pohoi dje se “liria e barabartë për të gjitha besimet fetare, nuk do të thotë barazi trajtimi”, pasi në Itali feja katolike është predominuese dhe ka një Marrëveshje specifike me Shtetin që quhet Konkordat. Mons. Betori, s’bëri tjetër veçse atë që bën Kisha vetë në ato vende ku ekzistojnë besimtarë katolikë, por shumica janë myslimanë ose budistë. Kisha kërkon lirinë fetare, por nuk mohon se trashëgiminë historike dhe kulturore të një vendi e ka krijuar një fe tjetër. Pse në Itali është kaq e vështirë të pranohet kjo? Pyetëm prof. Antonio Maria Baxhon, docent i etikës politike në Universitetin Gregorian në Romë:
RealAudioMP3 Mendoj se kjo ndodh për motive ideologjike dhe për interesa të veçanta. Krishterimi, e duke folur për Italianë, në veçanti Kisha katolike ka nxjerrë ide që sot qëndrojnë në thelb të demokracisë: sensi i lirisë, i ndërgjegjes, i barazisë, i të drejtave të njeriut. Ata që kritikojnë fenë tonë e bëjnë pa e ditur se është pikërisht kjo fe që i ka vënë në kushte lirie e sigurie për ta kritikuar! Do të thosha edhe më: edhe vetë koncepti i racionalitetit me të cilin organizohet demokracia, ka të bëjë me kontributin e krishterimit në histori. Ndoshta, këta persona kanë frikë nga prania reale dhe e gjallë që akoma sot Kisha ka, si në formën e grupeve të organizuara, ashtu edhe si aktivitete të personave të veçantë në fushën shoqërore.
Mons. Betori sqaroi dje se në asnjë mënyrë një shtet laik, por i një vendi me kulturë katolike, nuk mund të ligjërojë për shembull, martesën poligamike, ose tradita që vijnë nga kultura të tjera e që bien ndesh me të drejtat e njeriut që praktikohen në Itali. Në emër të multikulturalizmit, nuk mund të vihen në tryezën e bisedimeve me fetë e tjera, parimet themelore mbi të cilat ngrihet një shoqëri demokratike. Italia është edhe vendi i emigrantëve, për ndërtimin e së cilës ata kontribuojnë, por ky vend ka rregulla që duhen respektuar për të jetuar në paqë. Pikërisht për këtë vlen inciativa që u paraqit sot, në Romë: konsulta e të rinjve për dialogun ndërfetar. 15 të rinj, përfaqësues të feve të ndryshme do të bashkëpunojnë me qeverinë italiane për të favorizuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet etnive e feve të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.