Në historinë e Kishës persekutimi bëhet burim i misionit: këtë nënvizoi sot Papa në
audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Shtjefnit protomartir.
(10.01.2007 RV)“Impenjimi
i bamirësisë nuk mund të veçohet nga kumtimi i Ungjillit” – me këto fjalë iu drejtua
sot Benedikti XVI besimtarëve në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, që u mbajt
në Sallën e Palit VI, duke kujtuar edhe se persekutimi i Kishës, që nuk ka munguar
e nuk do të mungojë kurrë në rrjedhë të historisë së njerëzimit, bëhet gjithnjë burim
i misionit. “Kryqi mbetet gjithnjë në qendër të jetës së Kishës”- reflektoi Benedikti
XVI i cili, në audiencën e dytë të vitit 2007, foli kryesisht për lidhjen e ngushtë
ndërmjet persekutimit e misionit. Mbytja e Shën Shtjefnit me gurë – kujtoi Papa -
shënon fillimin e salvimit kundër ndjekësve të Krishtit, të cilët asokohe nisën të
dalin nga Jeruzalemi për t’u kumtuar, për herë të parë, Ungjillin paganëve. “Në
historinë e Kishës nuk do të mungojnë kurrë mundimet, përndjekjet. E pikërisht persekutimi,
sipas frazës së famshme të Tertulianit, bëhet burim i misionit të të krishterëve të
rinj. ‘Ne, të krishterët shumfishohemi, sa herë që ju na korrni: është farë e hedhur
gjaku i të krishterëve!”. Shën Shtjefni – vijoi Ati i Shenjtë – na mëson ta
duam Kryqin, sepse Kryqi është rruga përmes së cilës Krishti arrin gjithnjë në takimin
me ne”. Kryqi është qëndra e jetës për çdo të krishterë: “Edhe në jetën tonë
kryqi, që nuk do të na mungojë kurrë, bëhet bekim. Duke e pranuar kryqin, pasi e dimë
se kryqi bëhet dhe është bekim, mësojmë gëzimin e krishtërimit edhe në çastet më të
vështira të jetës”. Një mësim tjetër i madh, që na la Shën Shtjefni- vijoi
Papa - është se dashuria e krishterë dhe kumtimi i së Vërtetës nuk duhen veçuar asnjëherë: “Mund
të mësojmë nga figura e Shën Shtjefnit se bamirësia dhe kumtimi shkojnë gjithnjë krah
për krah”. Shën Shtjefni e kumtoi Krishtin me dashuri të thellë të
krishterë deri në atë pikë, sa të pranonte martirizimin. Është një martir i modeluar
sipas vetë mundimeve të Krishtit – shtoi Ati i Shenjtë – e më pas kujtoi lidhjen e
ngushtë të Shën Shtjefnit me Shën Palin. Sauli – vërejti Papa – nga persekutues, bëhet
apostull i Ungjillit e, pas takimit me Shën Shtjefnin, rifillon leximin kristologjik
të Besëlidhjes së Vjetër, duke dëshmuar se bashkimi me Krishtin përfaqëson përmbushjen
e gjithë Ligjit. Kështu, në mënyrë providenciale, ndodh që në misionin e Apostullit
të Popujve përkryhet dëshmia e martirit të parë të Kishës. Duke vijuar reflektimin
për figurën e Shën Shtjefnit, Papa kujtoi se ai bënte pjesë në grupin e nxënsve të
Krishtit për zhvillimin e veprimtarive bamirëse. Ata u paraqitën para apostujve të
cilët, pasi u lutën, u vunë duart mbi kokë. Ishte një gjest me shumë kuptime. Nga
sa lexojmë në Letrën drejtuar Timoteut, arrijmë në përfundimin, që tingëllon si urdhër:
“Askujt mos ia vër duart me ngutësi. Mos u bëj pjesëtar në mëkate të huaja!”. E kjo,
sepse gjesti i vënies së duarve bëhet shenjë sakramentore. Në rastin e Shën Shtjefnit
e shokëve të tij – shpjegoi Ati i Shenjtë – kemi të bëjmë pa dyshim me transmetimin
zyrtar nga ana e apostujve të një detyre e njëkohësisht të një hiri, që mund të ushtrohej. Pas
audiencës së përgjithshme Benedikti XVI vizitoi ekspozitën e Shpellave të Betlehemit
në tremen e Sallës së Palit VI, ku janë ekspozuar 20 Shpella Betlehemi, vepra të realizuara
në dru nga artistët e Trentos. Ekspozita titullohet “I ëmbli Krishti Fëmijë”. Ndërsa
pas katekizmit, në çastin e përshëndetjeve, besimtarët i bënë Papës disa dhurata simpatike:
dy bluza futbolli, që të dyja me shkrimin “Benedikti XVI”. E para, ngjyrë ari si ajo
e kombëtares braziliane, iu dhurua nga një grup meshtarësh futbollistë, anëtarë të
skuadrës ndërkombëtare të priftërinjve; ndërsa e dyta, bardh-kuq e blu, prej një grupi
besimtarësh italianë nga Kampania.