(10.01.2007 RV)Sipas lajmeve gjysëm zyrtare, SHBA kanë bombarduar sot paradite
sërish jugun e Somalisë, por qeveria e Mogadishos përgënjeshtroi e irrituar. Nuk ka
pasur as bombardime të trupave etiope, të cilat deri tani kanë luftuar guerrilasit
e Kohortave islamike, të tërhequr në zonë nga kryeqyteti. Sipas Etiopisë, integralistët
somalë nuk përbëjnë më rrezik për të, por nuk sqarohet se kur do të tërhiqen nga Somalia
trupat e Adis-Abebës. Në sulmet nga ajri, është vrarë njëri nga atentatorët kundër
ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, anëtar i Al Kaidës. Ndërkaq, sot ka
pasur ndeshje me armë në Mogadisho, rreth një kazerme ushtarake për somalë dhe etiopë.
Kryeministri u ka bërë thirrje xhihadistëve të Kohortave Islamike të dorëzojnë armët,
duke u ofruar atyre mundësinë të integrohen në trupat e rregullta. Cili është qëndrimi
i vetë somalëve para bombardimeve të fundit? Të dëgjojmë përfaqësuesin e Bashkësisë
somale në Itali, Dugllas Dualè: Të gjithë somalët, kudo ku ndodhen, janë kundër,
edhe për arësye se kanë përshëndetur me kënaqësi largimin e milicive të Kohorteve
islamike. Kur u larguan të ashtuquajturit “zotërinjtë e luftës”, populli somal i pati
pritur milicët krahëhapur. Por pas 40 ditësh, Kohortet islamike treguan fytyrën e
tyre të vërtetë dhe vendosën Sharinë, ligjin islamik. Disa prej tyre, natyrisht, janë
të lidhur me terroristët, por shumica e somalëve prisnin që pasi përzunë Kohortet
islamike, ushtarët etiopë të ktheheshin në vendin e vet.