Duke shfletuar kalendarin kishtar, përkujtojmë Shën Agatonin, Papë.
(10.01.2007 RV)U ul në fronin e
papnisë më 26 qershor të vitit 678, pikërisht kur kishte mbushur 103 vjet, në sa ishte
krejtësisht i kthjelltë. Më 12 gusht mori nga perandori Kostantin Pagonati një letër,
përmes së cilës deklaronte se ishte gati të rifillonte përpjekjet për të realizuar
planin e ribashkimit kishtar të Romës me Bizantin. Mendonte, prandaj, të mblidhte
një konferencë ipeshkvnore, në të cilën të diskutoheshin problemet më urgjente, që
do të çonin në zhdukjen e kundërvënieve, duke i hapur përfundimisht rrugën bashkimit.
Për këtë qëllim perandori i kërkonte papës të dërgonte disa përfaqësues të tij në
Kostandinopojë. Për të përgatitur delegacionin, Agatoni mblodhi më 27 mars të vitit
680 në Lateran një koncil italian, i cili zgjodhi përfaqësuesit ipeshkvnorë që do
të niseshin për në Bizant së bashku me të dëguarit e papës dhe miratoi tekstin sinodal,
që do të paraqitej në konferencë. Në këtë tekst pasqyrohej doktrina e dy vullneteve
dhe e dy mënyrave të veprimit të Krishtit, duke kujtuar atë që ishte vendosur në Koncilin
Lateranens nga Martini I. Delegacioni perëndimor arriti në Bizant më 10 shtator
të vitit 680 dhe u prit nga patriku Gjergj, që mori masat për të mbledhur metropolitët
dhe ipeshkvijtë Bizantinë. Ajo që u thirr thjeshtë si konferencë, mori pamjen e një
Koncili të vërtetë, i gjashti në Lindje. Mbledhja u hap më 17 nëntor të vitit 680
në sallën e madhe të pallatit perandorak. Kryetar i saj ishte vetë perandori, që kishte
përkrah dy priftërinj e një diakon romak, si përfaqësues të papës. Ndërsa në Itali
shpërtheu epidemia e murtajës, që shkaktoi vdekjen e një numri të madh njerëzish,
në Kostantinopojë koncili vijonte. Pas 18 seancash u arrit në hartimin e një dekreti
që u shpall më 16 shtator të vitit 681. Në të ripohohej besojma e fesë, e vendour
nga pesë koncilet e mëparshme dhe miratohej njëzëri doktrina e dy vullneteve dhe dy
energjive të Krishtit, që nuk ishin në kundështim me ta, duke konfirmuar edhe tekstin
sinodal të Lateranit. U dënua edhe herezia monoteistike. Koncili u mbyll me kërkesën
drejtuar papës për të miratuar vendimet e marra. Por Agatoni kishte vdekur më 10 janar
të vitit 681 dhe ishte varrosur në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gojëdhëna tregon se kur
i mbylli sytë, ishte 107 vjeç. Agatoni nënshtroi edhe kryeipeshkvin e Ravenës, Teodorin,
i cili i dha fund autoqefalisë së dënuar nga Roma. U interesua shumë edhe për fatet
e Kishës anglosaksone. Magjisteri i tij shquhet për thellësinë e doktrinës dhe bamirësinë
në ndihmë të të varfërve. Është pajtori i Palermos.