2007-01-09 18:47:44

Venezuela do të bëhet republikë "socialiste", sipas presidentit Cavez.


(9 janar 2007) Nuk mjafton përvoja e gjatë e shteteve ish-komuniste të Evropës dhe ajo e Kubës apo e ndonjë tjetri, për të bindur presidentin e Venezuelës, të heqë dorë nga modeli i sistemit socialist, të dështuar tashmë në të gjithë botën.
“Gjithçka që është privatizuar do të shtetëzohet”, në veçanti sektorët e energjisë elektrike dhe të telefonisë. Ky është qëllimi i presidentit Hugo Cavez, i shprehur dje gjatë ceremonisë së betimit të 12 ministrave të qeverisë së tij të re, e cila fillon punë nesër. Gjithashtu, presidenti do të paraqesë një projektligj, në bazë të të cilit parlamenti do t’i japë pushtet të veçantë, që do ta lejojë të kontrollojë sektorët strategjikë të ekonomisë.
Hapat e tjera kanë të bëjnë me riformën e thellë të Kushtetutës, për të shkuar drejt “Republikës Socialiste të Venezuelës”, emër që do të zëvendësojë aktualen “Republikë bolivariane të Venezuelës”. Cavez, i zgjedhur për herë të parë president në vitin 1999, në mandatin e dytë që i skadon në vitin 2013, deklaroi edhe se do të nxjerrë jashtë kufijve, si në traditën më të mirë të vendeve ish-komuniste, shoqëritë e huaja që punojnë në vend, sidomos ato që bëjnë pjesë në zinxhirin e naftës.
Dëshiron gjithashtu të mbyllë kanalin e pavarur “Radio Karakas Televizion”, dhe kardinalit Urosa, që e ka kundërshtuar këtë vendim, i ka thënë të “bëjë punë e vet”. Cavez e ka akuzuar hierarkinë katolike në përgjithësi, se thotë “barbarizma” duke mbrojtur atë që s’mund të mbrohet më. “U rakomandoj ipeshkvijve – ka thënë presidenti aktual i Venezuelës – të lexojnë Marksin, Leninin dhe në Bibël, Predikimin në mal për të njohur linjat e socializmit”.
Si shqiptarë, të farkëtuar me këto lloj “hyneresh”, do të thoshim: kur fillon fushata kundër klerit dhe kishës?







All the contents on this site are copyrighted ©.