2007-01-09 18:47:31

Pas bombardimit amerikan në jug, gjendje e vështirë në Somali.


(9 janar 2007 RV) RealAudioMP3 Një avion amerikan goditi mbrëmë një fshat të vogël në jug të Somalisë, ku sipas burimeve sekrete ishin strehuar krerë të Al Kaidës. Rezultati: së paku 30 viktima ndër civilë, por mund të jenë edhe më shumë. Bombardimi ka vazhduar edhe sot paradite në zonë. Ndërhyrja e SHBA-ve është miratuar nga kryeministri i përkohshëm i Somalisë, Abdullah Jusuf, i cili mbërriti dje në Mogadisho, për herë të parë që kur është zgjedhur, në tetor të vitit 2004. Po dje, ai deklaroi se amerikanët kanë të drejtë të luftojnë terroristët në të gjithë botën dhe se nuk ka ndërmend të bisedojë me krerët e Kohortave islamike, kundërshtarët e tij të tërhequr tashmë nga kryeqyteti.
Ipeshkvi i Xhibutit dhe Administratori Apostolik i Mogadishos, imzot Xhorxho Bertin ka deklaruar se amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm për të mos e keqësuar situatën. Pavarësisht se objektivi i sulmit ajror ishin dy terroristët përgjegjës për atentatet kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, prelati shprehet për agjensinë e Vatikanit, Fides se “ky sulm nuk e forcon mbështetjen e popullsisë somale për Qeverinë e brishtë të Tranzicionit dhe Etiopinë”. Situata është e vështirë, siç shpjegon në mikrofonin tonë Mauricio Simonçeli, ekspert italian i gjeopolitikës dhe i konflikteve:
(Situata) është krejtësisht e pasigurtë. Në kufi me Kenian, kohortet islamike po përgatiten të ndërhyjnë, siç është thënë qartë tashmë. Organizata e Bashkimit Afrikan, siç po e shohim, nuk ka vendosur akoma të dërgojë në vend një ushtri ndërkombëtare. Fatkeqësisht, tragjedia e Bririt të Afrikës nuk duket se ka ndërmend të gjejë zgjidhje, për momentin.
Sipas jush, si ndërthuret me këtë situatë, lufta e SHBA-ve kundër Al Kaidës?
Siç thotë edhe vetë fjala, integralizmi islamik lind nga një element që së pari është fetar, e pastaj edhe kulturor e mënyrë të jetuari. Një ndërhyrje e tipit ushtarak, e madje një bombardim ajror, vetëm sepse mendohet se në një fshat ka eksponentë të Al Kaidës, godet gjithë popullatën. Fatkeqësisht, ndërhyrje të këtij lloj s’bëjnë tjetër, veçse e keqësojnë situatën.







All the contents on this site are copyrighted ©.