2007-01-08 18:13:48

Në fjalimin drejtuar Trupit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI bëri thirrje për zgjidhjen e krizave të ndryshme të Planetit – duke i uruar Ballkanit jo vetëm stabilitet politik, por edhe statusin e Kosovës dhe integrimin në Bashkimin Evropian.


(08.01.2007 RV)Një vështrim mbi Planetin dhe thirrjet për kapërcimin e krizave politike shoqërore e humanitare ishin në qëndër të vëmendjes në fjalimin tradicional të fillimi të vitit që Benedikti XVI ua drejtoi ambasadorëve të Trupit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, të cilëve u kërkoi të konsolidojnë atë që është pozitive në botë, për të kapërcyer, kështu, me urti e këmbëngulje, gjithçka e zvetënon dhe e vret njeriun”.
Për Ballkanin Papa uroi jo vetëm stabilitet politik, por edhe statusin për Kosovën dhe integrimin në strukturat e Bashkimit Evropian.
Shkandulli i urisë e i mjerimit që vijon edhe në shekullin e 21-të, paqja gjithnjë e dhunuar dhe e qesëndisur, sulmet kundër jetës njerëzore… E akoma: krizat politiko-humanitare në Afrikë, sinjalet e rilindjes shoqërore në Amerikën Latine, zgjërimi ekonomik i gjigantit aziatik, rreziku bërthamor iranian e korean, thirrjet për stabilitet në Lindjen e Mesme, mbrojtja e rrënjëve të krishtera të Evropës së bashkuar… Këto ishin disa nga temat e aktualitetit ndërkombëtar që preku Papa në fjalimin e mbajtur sot paradite para Trupit diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë - kryesuar nga dekani, ambasadori i republikës së San Marinos, Gjovani Galasi – në audiencën tradicionale për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit të ri.
Ati i Shenjtë kujtoi për probleme të brëndshme, dhjetë kombe të Afrikës, shtatë të Azisë, tre të Amerikës-Latine, katër të Lindjes së Mesme. Më pas i hodhi një vështrim plot kënaqësi Evropës së 27 shteteve, e cila nuk duhet t’i harrojë edhe vendet e Ballkanit. Në fjalimin drejtuar Trupit diplomatik, duke bërë vlerësime të përgjithshme, pa harruar edhe hollësitë, Papa tregoi se e ndjek me vëmendje të madhe gjithë situatën ndërkombëtare.
Urimi i Benediktit XVI për paqe e qetësi, drejtuar diplomatëve në fillim të fjalimit, vijoi me shprehjen e solidaritetit për ata që s’kanë paqe e s’njohin qetësi, sepse - personazhe të dramës së përhershme të mjerimit, në skenën e së cilës edhe në fillimet e shekullit të 21- të, miliona njerëzve, posaçërisht grave e fëmijëve, u mungojnë akoma uji, buka, streha:
“Shkandulli i urisë, që vijon të bëhet gjithnjë më i rëndë, është i papranueshëm në një botë, e cila i ka pasuritë, njohuritë e mjetet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj drame. I ftoj drejtuesit e kombeve më të pasura të marrin masat e nevojshme që vendet e varfëra, shpesh herë përplot me pasuri natyrore, të gëzojnë frytet e të mirave që u përkasin.”
Duke prekur këtë problem, Papa i ftoi vendet që mbështesin zhvillimin, të mos heqin dorë nga impenjimi i dhënies së 0,7 % të prodhimit të brëndshëm brut për ndihmë ndërkombëtare, duke mbështetur kështu më mirë organizatat që merren me zgjidhjen e krizave humanitare.
Pasi i bëri urimet më të mira sekretarit të ri të OKB-së, Ban Ki-mun, Papa ngriti zërin për të denoncuar thellimin e krizës në negociatat për çarmatimin, për t’iu kundërvënë shtimit të shpenzimeve ushtarake e për të dënuar edhe një herë në mënyrë të prerë terrozimin dhe sulmet e tjera të vazhdueshme kundër jetës: abortin, relativizimin e familjes së themeluar mbi martesën dhe prirjen për ligjërimin e klonimit njerëzor, me pretekstin e zhvillimit shkencor, që kërkon të imponojë vetëm ligjet e veta.
Benedikti XVI foli edhe për zona të veçanta të Planetit, duke nisur nga Afrika, ku paqja është e paqëndrueshme - e duke u ndaluar sidomos tek ‘drama e Darfurit’, trazirat e kohëve të fundit në Bririn e Afrikës, në Ugandë, në Burundi e në Republikën Demokratike të Kongos, vende të cilave Ati i Shenjtë u propozoi si simbol të harmonisë - kujtimin e rregulltares Leonela Sgorbati, vrarë më 17 shtatorin e vitit të kaluar në Mogadisho të Somalisë.
Më pas Benedikti XVI kujtoi takimet e mëdha baritore që e presin së shpejti:
“Shtegtimi apostolik që do të bëj në majin e ardhshëm në Brazil, më jep rastin ta drejtoj vështrimin nga ky vend i madh, që më pret me gëzim, si dhe nga gjithë Amerika Latine e nga Karaibet. Përmirësimi i disa treguesve ekonomikë, impenjimi në luftën kundër trafikut të drogës e kundër korrupsionit, proceset e ndryshme të integrimit, përpjekjet për të përmirësuar arsimin, për të luftuar papunësinë dhe për të ngushtuar pabarazitë në shpërndarjen e të ardhurave, janë disa tregues që meritojnë të kujtohen me kënaqësi”- tha Ati i Shenjtë dhe më pas foli për Haitin, viktimë e varfërisë dhe e dhunës dhe për Kubën, që duhet t’ia hapë dyert botës, ashtu si bota Kubës.
Më pas Shenjtëria e Tij vijoi shtegtimin simbolik në Azi, duke u ndaluar posaçërisht në Kinë e në Indi, përshëndeti bashkësitë katolike, të vogla por plot gjallëri, të Kontinentit, për të cilat kërkoi të krijohet klima e lirisë së plotë fetare, kujtoi dhunën në Afganistan, vatrat e rrezikshme të tensionit në gadishullin korean, negociatat e vështira me Iranin e, sidomos, trazirat në Tokën Shenjte, të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes rrugës që llogarit aspiratat dhe interesat legjitime të të gjithë popujve të zonës, në mënyrë të veçantë, të libanezëve, të cilët kanë të drejtë të kërkojnë tërësinë dhe sovranitetin e vendit të tyre; të izraelitëve, që kanë të drejtë të jetojnë në paqe në shtetin e tyre e të palestinezëve, që kanë të drejtë për një atdhe të lirë e sovran”.
Së fundi, Papa foli për Evropën, duke shprehur kënaqësinë për hyrjen në strukturat komunitare të Bullgarisë dhe të Rumanisë, vende me tradita të lashta kristiane e duke theksuar një koncept, që nuk duhet harruar asnjëherë: mbrojtjen e vlerave themelore të njeriut, që janë në bazë të dinjitetit njerëzor, posaçërisht të lirisë fetare, në të gjitha përmasat e saj si dhe të drejtat institucionale të Kishave, pa harruar trashëgiminë e krishterë të këtij Kontinenti që ka kontribuar gjërësisht për të modeluar Evropën e Kombeve e Evropën e Popujve.
Për Ballkanin, Benedikti XVI kërkoi jo vetëm stabilitet zonal në përgjithësi, por foli, në veçanti, edhe për zgjidhjen e çështjes kosovare.
“Së shpejti – kujtoi ndërmjet tjerash – statusi i Kosovës do të jetë përfundimtar, e njëkohësisht, edhe integrimi i ardhshëm në strukturat e Bashkimit evropian.Vetëm duke respektuar njeriun - përfundoi Papa - mund të promovohet paqja e vetëm duke ndërtuar paqen, mund të hidhen bazat për një humanizëm të vërtetë integral”.







All the contents on this site are copyrighted ©.