2007-01-06 18:31:35

“Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit.” Kështu u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot, mbajtur sot në Vatikan.


(6 janar 2007 RV)RealAudioMP3 Gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në Vatikan Papa Racinger ripohoi edhe njëherë rëndësinë e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm:


“Të Dëftuarit e Krishtit është prandaj në të njëjtën kohë edhe të dëftuarit e Kishës, pra të shfaqurit e vokacionit dhe të misionit të saj të përbotshëm. Në këtë kontekst kam gëzimin t’u drejtoj përshëdetjen time të përzemërt të dashurve vëllezër të Kishave lindore, të cilët duke ndjekur kalendarin Julian, kremtojnë nesër Krishtlindjen e Shenjtë.”


Papa kujtoi gjithashtu se sot kremtohet edhe Dita Botërore e Fëmijëve Misionarë, festa e fëmijëve të krishterë “që e përjetojnë me gëzim dhuratën e fesë dhe luten që drita e Jezusit t’u shkojë të gjithë fëmijve të botës. Pastaj Ati i Shenjtë Benedikti XVI falenderoi edhe fëmijët e organizatës “Fëmijëria Shenjte”, e pranishme në 110 vende dhe i grishi fëmijët të jenë “bashkëpunëtorë të vlefshëm të Ungjillit dhe apostuj të solidaritetit të krishterë ndaj më nevojtarëve.” Në vijim Papa Racinger u dha zemër edukatorëve “që të kultivojnë tek vogëlushët shpirtin misionar”, në mënyrë që të jenë “dëshmitarë të zemërbutësisë së Zotit dhe lajmëtarë të dashurisë së tij.”


Kremtimi i Engjëllit të Tenzot u zhvillua në një atmosferë festive gëzimi. Ishin të shumtë besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit. Të panumërt ishin edhe fëmijët që kishin ardhur për të dëgjuar Papën, në këtë ditë feste aq të veçantë për ta. Në fund Benedikti XVI nuk harroi të përshëndesë edhe 1500 pjesëmarrësit në karvanin historiko-folklorik “Rroftë Befana”, kushtuar këtë vit territorit të qytetit të Viterbos dhe të Monti Cimini.







All the contents on this site are copyrighted ©.