“Befana” e shoqatës historiko-folklorike Evropa dhe Familja - Familjet e lira të bashkuara
të Evropës
(6 janar 2007 RV)“Befana”, sipas traditës
folklorike italiane është një grua aq e shëmtuar sa edhe e dashur për fëmijët sepse
duke fluturuar mbi një fshesë shkon qytet më qytet e fshat më fshat, për t’u çuar
të vegjëlve dhurata të ndryshme. Por mbi nismën e këtij karvani historiko-folkloristik
në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Serxho Balestrini, promovues i këtij manifestimi
kulturor dhe kryetar i Shoqatës Evropa dhe Familja / Familjet e lira të bashkuara
të Evropës:
Përgjigje: Ne duam që vlerat e kësaj feste, vlerat fetare,
t’u trashëgohen fëmijëve tanë dhe që fëmijët ta kuptojnë se nuk është vetëm Befana,
ajo që sjell dhurata. Kemi shumë prindër, gjyshër që i përkushtohen këtij manifestimi
pikërisht sepse shoqata jonë, ka ndërmjet qëllimeve të veta kryesore edhe atë të mbrojtjes
të vlerave së familjes dhe pastaj edhe të traditave popullore, që janë të lidhura
me rrënjët e një populli, e si pasojë edhe me familjet italiane.
Pyetje:
Ky karvan është unik në llojin e vet. Do ta shpjegojmë se pse?
Përgjigje:
Është unik në llojin e vet sepse paraardhësit e mi, së bashku me mua menduan ta sajojnë
këtë manifestim pikërisht për të kremtuar universalitetin e familjes dhe të Kishës.
Nga ky këndvështrim çdo vit mendohet se Krishti lind në një vend të ndryshëm nga ai
i përparshmi. Është sikur këtë vit Krishti të kishte lindur në zonën e Viterbos dhe
prandaj të tre Mbretërit dijetarë, në vend që të vinin nga Lindja, siç është në traditë,
vijnë nga zona përreth Viterbos. E bukura këtu qëndron në atë që për nder dhe respekt
ndaj Shenjtërisë së Tij, ne sjellim dhurata që sigurisht nuk janë dhurata me karakter
personal, por janë dhurata që përfaqësojnë simbole, të vlefshme për ne jo për vlerën
materiale që mund të kenë por për mundin dhe dashurinë me të cilën janë realizuar
dhe prodhuar.