2007-01-05 19:09:12

Nata e Dëftimit të Zotit. Të reflektojmë sëbashku me Papën Benedikti XVI.


(5 janar 2007 RV) RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, sonte është nata e festës së Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar. Nesër Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre. Papa Benedikti XVI do të kremtojë nesër në orën 10 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën Solemne të Dëftimit të Zotit, që do të ndiqet drejtpërdrejt nga Radio Vatikani.
Melkiori, Balatasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjes Hyjnore. Në Jeruzalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë.
Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre e gjejnë Zotin. Nesër, për të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, nesër është festa juaj, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive. Mbretërit Dijetarë njohin në të sapolindurin e brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në fatin e Jezu Krishtit.
Vitin e kaluar, pikërisht më 6 janar, Papa Benedikti XVI reflektonte në këtë mënyrë:
Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jeruzalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqia”.







All the contents on this site are copyrighted ©.