Papa Benedikti XVI takohet me të varfërit e mensës së Kole Opios në Romë në shenjë
të përparësisë që ata kanë për Kishën e Krishtit.
(4 janar 2007 RV) T’u shërbesh të
varfërve me dashurinë e Krishtit, që nuk diskriminon as për arësye të racës, e as
të fesë. Kështu u foli Papa Benedikti XVI vullnetarëve dhe të varfërve të mensës së
Karitasit të Romës, në Kole Opio, të cilën e vizitoi sot paradite. Ati i Shenjtë shprehu
vlerësimin e tij për punën e tyre dhe i dha mensës emrin e Gjon Palit II, i cili e
pati vizituar 15 vjet më parë. Një vend i pasur me bamirësi e humanitet në të
cilin, siç bënte Jezu Krishti, u shërbehet njerëzve pa dallim race e kulture. Papa
Racinger, i shoqëruar nga kardinali vikar i Romës, Kamilo Ruini, nga drejtori i Karitasit,
mons. Guerino di Tora, por sidomos nga ngrohtësia e të pranishmëve dhe nga një atmosferë
e jashtëzakonshme festive, u tregua shumë i kënaqur që shkoi në këtë mensë pikërisht
në klimën e festave të fundvitit, kur strukturat katolike qëndrojnë hapur për të varfërit
e Romës, ndërsa mbyllin dyert institucionet kryesore. Me mijëra vetë u ngjeshën
sot paradite brenda e jashtë mensës për të parë e përshëndetur Benediktin XVI, i cili
falenderoi mëse një herë të pranishmit për mirëdashjen e tyre. Ati i Shenjtë përshëndeti
në mënyrë të veçantë të gjithë ata që e frekuentojnë mensën, sepse gjejnë aty jo vetëm
ushqimin, por edhe ngrohtësinë e humanitetin e vullnetarëve: Në këtë Mensë
– tha Papa – e cila në një farë mënyre mund të konsiderohet simboli i Karitasit të
Romës, është e mundur të preket me dorë prania e Krishtit në vëllain që ka uri e në
atë që i ofron ushqimin. Këtu mund të eksperimentohet fakti se kur duam të afërmin,
njohim më mirë Zotin: në të vërtetë, në shpellën e Betlehemit, Zoti na u shfaq në
varfërinë e një të sapolinduri, që kishte nevojë për gjithçka. Mesazhi i Krishtlindjes
është i thjeshtë: Zoti erdhi mes nesh, sepse na do. Zoti është dashuri: jo një dashuri
sentimentale, por një dashuri që bëhet dhuratë e plotë deri në flijimin mbi Kryq”. Betlehem,
kujtoi Benedikti XVI, do të thotë “Shtëpia e bukës”. E Jezusi është buka e qiellit,
“ardhur për çdo njeri”, e që bëhet në një farë mënyre i dukshëm përditë në këtë mensë,
pa dallim për asnjë. E duke përmendur Papën Gjon Pali II e vizitën e tij 15 vjet më
parë, Papa Racinger shtoi: “Njeriu që vuan është pjesë e jona”, thoshte Paraardhësi
im i paharrueshëm, Gjon Pali II, emrin e të cilit ia kemi dhënë mensës pikërisht sot.
Nga shpella e Betlehemit, nga çdo betlehem përhapet një lajm i mirë për të gjithë:
Jezusi na do e na mëson si të duam. Përgjegjësit, vullnetarët e të gjithë ata që frekuentojnë
mensën mund ta eksperimentojnë bukurinë e kësaj dashurie; mund ta ndjejnë thellë gëzimin
që vjen prej saj, një gëzim natyrisht i ndryshëm nga gëzimi zhgënjyes i reklamave. Të
mallëngjyer operatorët e mensës përshëndetën edhe ata Papën. Mons. Guerino di Tora,
drejtori i Karitasit të Romës e quajti vizitën e Atit të Shenjtë “dhuratë për të varfërit
dhe për të gjithë vullnetarët që çdo ditë dëshmojnë me gjeste konkrete dashurinë për
të afërmin”.Në fjalët e tij, përkushtimi i vullnetarëve dhe dëshira për të lehtësuar
plagët e kryeqytetit italian: Për këtë, që nga hapja e saj, mensa ka qenë vend
takimi, ku bashkohet komuniteti i krishterë e ku merr në ngarkim të afërmin më të
vobektë, e mirëpret, e dëgjon, njeh nga fjalët e tij vuajtjen në kryq, braktisjen,
të ftohtët, urinë, drogën, burgun, emigracionin, humbjen e të dashurve, të kaluarën
që duhet harruar… Një punë që tani, pas shumë vitesh, sheh frytet e programeve të
politikës shoqërore bërë nga entet punblike dhe organizatat private, të cilat nën
shtysën e shoqërisë civile, me Kishën e Romës në linjën e parë të frontit, e konsiderojnë
të varfërin para së gjithash, njeri, me dinjitetin e tij njerëzor. Papës
Benedikti XVI iu dhurua tesera numer 1 e Karitasit, për të ngrënë në mensë bashkë
me të varfërit, një batanije, simbol i pasigurisë, një përparëse, simbol i punës së
vullnetarëve dhe një vizatim i bërë nga një vajzë e vogël emigrante, që banon në një
strukturë të Karitasit. Papa Racinger, nga ana e tij dhuroi 10 mijë batanije e 2
mijë xhaketa të rënda dimri. Duke përshkuar ambientet e mensës së Kole Opios,
Ati i Shenjtë përshëndeti të rinjtë e Qendrës Monti-Eskuilino, vizitoi Qendrën e Pritjes,
Sallën e ngrënies dhe Betlehemin artistik, që vullnetarët e Karitasit e kanë ndërtuar
për nder të të varfërve që frekuentojnë mensën. Në hyrje të saj, Papa
zbuloi dhe bekoi një pllakë përkujtimore të vizitës së Papës Gjon Pali II më 20 dhjetor
1992. Në atë kohë, Karitasi i Romës ishte i binjakëzuar me Karitasin e Tiranës dhe
në takimin me Gjon Palin II qenë të pranishëm edhe vullnetarët e Karitasit të kryeqytetit
të Shqipërisë. Atëherë njëra nga dhuratat qe një pako me ushqime, që dërgohej në Shqipëri
për të ndihmuar popullsinë të kalonte periudhën e emergjencës post-komuniste. Papës
ia dhuruan një vullnetare nga Karitasi i Tiranës dhe një vullnetar nga Karitasi i
Romës. Vullnetarja në fjalë është tani redaktore e programit shqip të Radio Vatikanit.
Të dëgjojmë kujtimin e Klaudia Bumçit: Ishte një ditë e ftohtë si kjo e sotmja,
ajo e 20 dhjetorit të 15 vjetëve më parë. Rreth 30 vetë, praktikisht krejt grupi i
Karitasit të Tiranës, i sapothemeluar, ndodhej për një vizitë një mujore në Romë,
ftuar nga Karitasi i Romës. Në atë kohë, ai drejtohej nga i ndjeri mons. Luigji Di
Liegro, të cilin vetë Papa Gjon Pali II e pati përkufizuar si “profet të bamirësisë”,
dhe ishte i binjakëzuar me Karitasin e Tiranës. Edhe atëherë, mensa ishte mbushur
plot e përlot me njerëz, disa prej të cilëve i njihja personalisht, pasi si vullnetarë
kishin ardhur në Shqipëri për të ndihmuar në periudhën e emergjencës, që po kalonte
populli shqiptar. Komunizmi sapo kishte rënë, duke e lënë Shqipërinë pa bukë. Puna
kryesore e Karitasit në ato vite ishte shpërndarja e pakove me ushqime dhe me rroba
për këdo, sepse askush nuk mund të përjashtohej nga lista e atyre që në Perëndimin
e rehatshëm quhen “të varfër”. Mons Luigji Di Liegro deshi që njëra nga
dhuratat të ishte pikërisht një pako me ushqime, nga ato që do të niseshin për Shqipëri.
Nga Karitasi i Romës, do t’ia çonte pakon Papës, Euxhenio Peci, një vullnetar, i cili
punoi në Shqipëri si përfaqësues i Karitasit të Romës bashkë me një murgeshë të Dashurisë
Hyjnore, të ndjerën motër Antonieta Kucolin për krejt periudhën e binjakëzimit. Dikush
erdhi dhe i tha përgjegjësit të atëhershëm të Karitasit të Tiranës, Cuk Vilës se njëri
prej nesh duhej të shkonte tek Papa Gjon Pali II, i cili kishte kryer nga podiumi
fjalimin e vet. “Të shkojë Klaudia” tha ai, duke më gjetur krejtësisht të papërgatitur.
Euxhenio më jep kurajo duke më thënë se në fund të fundit, Papa ishte njeri si gjithë
të tjerët, por mua më dridheshin këmbët tek bëja ato pak hapa në korridorin e krijuar
për të shkuar tek Gjon Pali II. Emocioni i jashtëzakonshëm më la vetëm t’i thoja “Atë
i Shenjtë” e t’i puthja dorën, ndërsa mons. Luigji Di Liegro pas Papës, i shpjegonte
se kush ishim ne që po i dhuronim këtë pako. A m’u duk, a vërtet pas atyre fjalëve,
Papa m’i mbajti duart më gjatë në të vetat. Edhe ai shtrëngim i thjeshtë tregonte
sa për zemër e kishte atë vend të vogël në bregun tjetër të Adriatikut, që quhej Shqipëri
e nga i cili, deri në atë moment, vinin lajme persekutimesh të klerit. Një kuartet
harqesh, edhe ai i ardhur nga Shqipëria, gjallëroi krejt takimin me meloditë e muzikës
klasike. Për të gjithë ne, ai takim ka mbetur i paharruar e qe një nxitje për të shkuar
edhe në fshatin më të largët të vendit, për të çuar ata pako të bekuara nga Papa.
Që
sot, mensa e Kole Opios mban emrin Gjon Pali II. Në fund të fjalës së tij, Papa Benedikti
XVI iu lut Zotit që t’i mbrojë në veçanti të gjithë operatorët e Karitasit të Romës,
të cilët kryejnë një vepër të madhe solidariteti në mensën e Kole Opios e në pika
të tjera të qytetit. Shpirti i Shenjtë – përfundoi Papa – t’u japë jetë zemrave
të përgjegjësve e të gjithë operatorëve e vullnetarëve, që ta kryejnë shërbimin e
tyre me përkushtim gjithnjë e më të vetëdijshëm, duke u frymëzuar nga stili i vërtetë
i dashurisë së krishterë, që Shenjtorët e bamirësisë e kanë përmbledhur në moton:
e mira duhet bërë mirë”.