2007-01-03 16:52:17

Nesër, vizita e Papës Benedikti XVI në mensën e Karitasit të Romës, në Kole Opio. Intervistë me përgjegjësin.


(3 janar 2007 RV) RealAudioMP3 Nesër Papa Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në Mensën e Karitasit të Romës, që ndodhet në Kole Opio, afër Koloseumit, 15 vjet pas asaj të Papës Gjon Pali II. Ati i Shenjtë do të takohet me vullnetarët që shërbejnë në mensë dhe do të përurojë një pllakë përkujtimore të vizitës së Papës Gjon Pali II, i cili ka qenë po në këtë mensë në dhjetor të vitit 1992. Përgjegjësi i Mensës, Xhenaro Di Kiko flet në mikrofonin tonë për pritjen që i është rezervuar Papës Racinger:
Një pritje mjaft e ngrohtë: vendimi për të vizituar mensën e të varfërve është një sinjal shumë i fortë, sidomos këtë vit, në të cilin qyteti i Romës në veçanti, është prekur nga vdekja e personave nëpër rrugë. Ne kemi numëruar 8 vetë. Pra, është një sinjal vëmendjeje të veçantë ndaj shtresave më të dobta të popullsisë, që Karitasi i takon drejtpërdrejt në rrugë ose brenda mensave, ose në Qendrat e pritjes. Përveç kësaj, kemi të bëjmë edhe me një sinjal të fortë pranimi ndaj botës së vullnetarëve, që na lejon të vemë në jetë iniciativat bamirëse gjatë gjithë vitit.
Puna juaj vë në zbatim në jetën e përditshme frazën ungjillore “jepini për të ngrënë të uriturve”. Sa janë njerëzit që ju kërkojnë ndihmë, e sa janë vullnetarët që e ofrojnë këtë ndihmë?
Personat që fatkeqësisht jetojnë në situata të këqia në Romë janë shumë. Ne vlerësojmë pak a shumë 6 mijë vetë në rrugë, e duhet të kemi parasysh se qyteti nuk është në gjendje të ofrojë më shumë se 4 mijë shtretër. Është një qytet i vërtetë i fshehur, një qytet që popullohet natën. Përballë këtyre problemeve, duhet të them se ekziston puna e mijëra vullnetarëve: janë grupe të impenjuara, janë famulli, skaut, që organizohen për t’ua lehtësuar vuajtjet këtyre personave. Objektivi i parë i vërtetë është ai i krijimit të marrëdhënieve me ne. Vullnetarëve, ne u kërkojmë sidomos këtë: të krijojnë marrëdhënie, që ta bindin personin ta lerë rrugën e në rastin më të mirë, të pranojë strehim në një qendër pritje. Gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, shumë janë personat që janë larguar nga rruga, e cila e shëmton njeriun dhe i dikton atij rregullat e veta, të ashpra. Vështirësia më e madhe e këtyre njerëzve është se u mungon një bërthamë familjare, së cilës t’i referohen. Në përgjithësi, kemi të bëjmë me njerëz që jetojnë vetëm, të cilët kanë përfunduar në rrugë pas një degradimi gradual shoqëror. Nuk është e lehtë, pas vitesh të tëra në trotuare, të dëshirosh t’i lësh ato. E në shumë situata, bota e vullnetarëve, vetë Karitasi kryen në një farë mënyre, rolin e familjes për atë që familjen nuk e ka më.
“Njeriu që vuan na takon”, është pjesë e jona, ju pat thënë Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së tij më 1992. Në ç’mënyrë Karitasi është pjesë e të varfërve? Cilat janë planet që keni për ta?
Përveç planeve gati të ndërhyrjes së shpejtë, që janë t’u ofrojmë të hanë e të flenë, tani po orientohemi gjithnjë e më shumë drejt asistencës për bërthamën familjare. Po punojmë në një projekt për hapjen e një mapoje për familjet në vështirësi: do ta hapim gjatë muajve të ardhshëm. Objektivi është ai i garantimit të asaj marrëdhënieje, të atij raporti njerëzor, që fatkeqësisht këta persona nuk e kanë.
Ndërkaq, nesër paradite gjatë vizitës, Papës Benedikti XVI do t’i jepet tesera numër 1 e Karitasit, që i jep Atit të Shenjtë mundësinë të shkojë në mensë për të ngrënë me të varfërit e Romës. Kujtojmë se mensa e Kole Opios u themelua 23 vjet më parë nga drejtori i atëhershëm i Karitasit të Romës, don Luixhi Di Liegro, i mirënjohur nga shqiptarët, sidomos nga popullsia e Tiranës, për ndihmën e dhënë në periudhën e emergjencës, menjëherë pas rënies së diktaturës komuniste. Edhe vetë Papa Gjon Pali II e pati quajtur të ndjerin don Di Liegro “profet i bamirësisë”. Karitasi ka edhe mensa të tjera të shpërndara në qytetin e Romës, nga ajo e stacionit hekurudhor Termini tek ajo e Primavales dhe e Ostias, në bregdetin e Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.