2007-01-03 18:17:27

Darfuri, çështja bërthamore dhe dënimi me vdekje përparësitë e sekretarit të ri të OKB-së.


(3 janar 2007 RV) RealAudioMP3 Në fjalën e tij përshëndetëse Ki-moon deklaroi se do të angazhohet mbi të gjitha për ndalimin e dhunës në Darfur, se do të ndihmojë në gjetjen e një rrugëdaljeje për procesin bërthamor koreanoverior dhe në fund për dënimin me vdekje. Por pikërisht pjesa e fjalimit mbi dënimin me vdekje ngjalli shumë diskutime sepse sekretari i përgjithshëm i OKB-së deklaroi se një diktator si Sadam Hyseini ishte përlyer me krime shumë të rënda dhe se OKB-ja nuk mund t’i harrojë viktimat. Në fund Ban Ki-moon shtoi se problemi i dënimit me vdekje është një çështje për të cilën çdo shtet duhet të vendosë vetë.
Por për një koment mbi përparësitë e sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB-së le të ndjekim Xhandonato Kaxhano, docent i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit Roma Tre:

Përgjigje: Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është që Kombet e Bashkuara të fitojnë besueshmëri. Bëhet fjalë për një çështje shumë të ndërlikuar, në të cilën aftësia për ndëmjetësim, personaliteti dhe drejtpeshimi janë gjithnjë elementa shumë të fortë.

Pyetje: Ndërmjet shumë krizave të trashiguara nga e kaluara sekretari i përgjithshëm përmendi dy në veçanti: situatën në Darfur dhe krizën bërthamore koreanoveriore.

Përgjigje. Mendoj se Darfuri është një temë hapur e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të jetës paqësore dhe të bashkëjetesës paqësore. [...] Përsa i përket krizës bërthamore koreanoveriore, më shumë sesa sanksione më duket se sekretari i përgjithshëm do të merret me përmirësimin e anës juridike që lidhet me ndalimin e armëve bërthamore.

Nga komentimi i fjalimit të sekretarit të ri të përgjithshëm të OKBsë kalojmë te një reflektim të Mario Maraxitit, zëdhënës i bashkësisë së Shën Egjidit, mbi dënimin me vdekje.

Pyetje: “Dënimi me vdekje është një instrument barbar i së kaluarës”, që nuk zvogëlon numrin e vrasjeve”, por “ngujon në urrejtje familjet e viktimave për vjet të tëra” duke u premtuar një shërim të pamundur. Janë vetëm disa fragmente shkëputur nga komunikata e bashkësisë së Shën Egjidios, që mbështet nismën italiane dërguar Kombeve të Bashkuara për pezullimin dhe heqjen e dënimit me vdekje në gjithë botën. Çfarë mendoni ju për këtë?

Përgjigje: Mendoj se është një nismë e rëndësishme, e dobishme, e nevojshme. Gjëja e dytë që mendoj është se duhet punuar shumë në mënyrë që krahas Italisë dhe Bashkimit Evropian kjo nismë të mbështetet edhe nga vendet e mëdha të jugut dhe të lindjes së botës.

Pyetje: Sot, në fakt gjithnjë e më pak vende zbatojnë dënimin me vdekjen. Kjo tregon se prirja është që të braktiset përfundimisht?

Përgjigje: Prirja është që dënimi me vdekje të kthehet në një gjë të së kaluarës. Është një proces i pandalshëm. Në vitet e fundit kemi patur 25 vende që kanë kaluar nga një anë në tjetrën.[...]







All the contents on this site are copyrighted ©.