2007-01-02 18:19:21

Fillim viti i mbarë për Bullgarinë dhe Rumaninë. Me 1 janar të dyja këto vende ballkanike hynë në BE-ian.


(2.1.2007 RV)RealAudioMP3 Duke filluar nga 1 janari 2007 numri i banorëve të BE-ian arriti në thuajse një gjysëm miliardi. 25 vendeve që bënin pjesë në familjen e madhe evropiane iu shtuan edhe Rumania e Bullgaria. Ngjarja u festua me madhështi në të dyja këto shtete. Në Sofie një piramidë rrezesh të gjata drite 500 metra u ndez në qiellin e kryeqytetit bullgar duke shënuar një epokë të re për vendin e kryeministrit Sergej Stanishev. Për ndryshimet rrënjësore të Bullgarisë në këto 16 vjet demokraci le të dëgjojmë ministren e Politikave Evropiane të Bullgarisë, Meglena Kuneva, e cila që nga data e djeshme është edhe eurokomisare për të drejtat e konsumatorëve të BE-ian.


Përgjigje: Ka qenë me të vërtetë një proces ndryshimesh, në të gjitha fushat. Jo vetëm sa i përket harmonizimit dhe përputhjes së legjislacionit bullgar me atë evropian. [...] Por kemi ndryshuar edhe mënyrën tonë të jetesës, mënyrën tonë të ushtrimit të kontrollit, disiplinën, madje deri edhe vetë mënyrën e llogaritjes së kohës. Kjo ka qenë edhe një nga gjërat më interesante gjatë negociatave. Nganjëherë mjaftonte një vonesë dy-tri ditëshe dhe menjëherë gabonim rrugë.


Pyetje: Cili mund të jetë, sipas jush kontributi i intelektualëve në bashkëjetesën e modernes, përfaqësuar nga Perëndimi, me traditat e vendit, me identitetin kulturor?


Përgjigje: [...]Mendoj se identiteti kulturor rimerr vlerë atëherë kur takohesh me të tjerë, duke vijuar ta jetosh modernen. [...]Ne në Bullgari nuk kemi dyshime përsa i përket kësaj. Mjaft të shikosh përreth dhe të vërtetosh se çfarë ka ndodhur në shtetet e tjera anëtare. Nuk besoj se ndonjëri prej tyre e ka humbur identitetin. [...]Kur më pyesin se çfarë do të sjellë Bullgaria në Evropë, përgjigjem: “Mendje të bukura të reja”.




Gjithashtu edhe në Bukuresht me mijëra qytetarë dolën në shesh për të ngritur dolli për hyrjen në Bashkimin Evropian. Vendi do të përfaqësohet në qeverinë evropiane nga Leonard Orban, drejtor i dikasterit të Shumëgjuhësisë dhe të Dialogut Shumëkulturor. Të dyja bashkësitë, ajo ortodokse dhe ajo katolike, e pritën 1 janar me lutje dhe meditim për rrugën e re që po nis Rumania. Në mikrofonin e Radio Vatikanit kryeipeshkëvi i Bukureshtit Ioan Robu shpreh kënaqësinë dhe shpresën për të ardhmen:


Përgjigje: Ne ipeshkvijtë e Rumanisë jemi të bindur se procesi i integrimit tonë nuk u mbyll me 1 janar por vijon me një intensitet në rritje pas kësaj dite për ne historike. [...] Pjesa më e madhe e rumunëve shpreson në një të ardhme ekonomike më të mirë, por kjo sigurisht nuk do të ngjasë menjëherë.
Kisha ortodokse, ajo katolike dhe bashkësitë e tjera fetare nuk e fshehin ngurrimin përballë faktit se Kushtetua Evropiane nuk i përmend rrënjët e krishtera. [...] Besoj se Rumania do të jetë e aftë të sjellë në shtëpinë e madhe evropiane diçka që mund të pasurojë të mirën e përbashkët të kontinentit. Personalisht jam i bindur se Rumania hyn në Evropë në një çast kur kjo po kërkon ende identitetin e saj, dhe kjo do të thotë se vendi ynë hyn në Evropë në momentin e duhur. Kësisoj Rumania do të mund të japë kontributin e vet qoftë për plotësimin e projektit evropian, qoftë për të ravijëzuar tiparet kryesore të karakterit, shpirtit evropian.


Po ashtu Sibiu, një nga qytetet kryesore të Rumanisë, është zgjedhur së bashku me Luksemburgun kryeqytet i kulturës evropiane për 2007. I populluar nga pakica hungareze dhe gjermane, ardhur pikërisht nga Luksemburgu, Sibiu është një mozaik kulturash evropiane. Krahas tjerash programi i ngjarjeve kulturore në Luksemburg parashikon edhe një shtegtim të quajtur “ Shtegtimi i Krishtit të buzëqeshur” nëpër shenjtnore të ndryshme në Gjermani dhe Belgjikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.