2007-01-01 16:33:57

Urime Vitin e Ri 2007!


(01.01.2007 RV) Sa shpresa, sa dëshira, sa plane ka secili prej nesh në fillimin e një viti! Por edhe sa shqetësime për vete e për të dashurit e vet; sa frikë për jetën tonë të përditshme e për të gjitha ata, të cilëve ua dimë luftën për ekzistencë, vështirësitë, padrejtësitë që përballojnë e nganjëherë, dhunën që i shtyp.
Përballë kësaj bote me dy fytyra, përballë gëzimit e trishtimit, përballë së mirës e së keqes, urojmë që çdo besimtar shqiptar, me zemër të dlirë, të mund të thotë sëbashku me psalmistin: “Unë ta besoj veten Ty o i Amshuar; unë kam thënë: Ti je Zoti im. Ditët e mia janë në dorën tënde”.
Ndërsa njerëzit e kësaj bote, gjithnjë e më tepër, e reinterpretojne dhe e ridimensionojnë autoritetin e bashkëkohësve të tyre, në familje e shoqëri, në shtet e edhe në kishë, i krishteri duhet të bëhet i vetëdijshëm se ekziston një autoritet, që nuk mund të ridimensionohet sipas koncepteve tona njerëzore: është autoriteti i Atij, që ka në dorë ditët tona.
Por cilat janë ditët që ne mund të numërojmë? Janë ditët e djeshme, ato që kanë kaluar. Janë ditët e gëzimit e të paqes, por edhe ato të dëshpërimit e të së keqes; janë ditët e shpresës e të besimit e ato të çkurajimit e të deziluzionimit; ditët e forcës e të sigurisë, plot entuziazëm e ditët e dobësisë, pasigurisë, apatisë; ditët e besimit në Zot e ditët e skepticizmit; ditët në hirin e Zotit e ditët e mëkatit; ditët për të cilat Krishti ka qenë prani e bekuar e ditët në të cilat ai ka qenë veç një emër për ne.
A s’kanë qenë edhe për ty të tilla, o dëgjues, ditët e vitit që sapo përfundoi? Por t’i numërosh këto ditë e t’i ndash, t’i kuptosh do të thotë të lejosh që ato të të mësojnë diçka e madje edhe të të paralajmërojnë kur në to nuk e ke gjetur Zotin, nuk ke arritur të marrësh prej Tij forcë e shpresë. Ky numërim nuk është statistikë e thjeshtë, sepse vetëm duke bërë një bilanc të qartë të jetës sonë, arrijmë tek urtia që vjen prej Hyjit, fillojmë me një “zemër të re” çdo vit të ri. Për shumë mot, këtë lloj viti të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.