2006-12-28 18:10:36

Filloi sot në Zagreb të Kroacisë takimi evropian i të rinjve organizuar nga bashkësia kishtare e Taizesë, në të cilin marrin pjesë edhe shumë të rinj edhe nga trevat shqiptare.


(28.12.06. RV)RealAudioMP3 Kryeqyteti kroat priti 40 mijë vetë të ardhur nga të katër anët e botës, e si çdo vit, edhe nga Shqipëria, për të kryer atë “shtegtim besimi mbi tokë” filluar nga i paharruari Frer Rozhè në vitin 1978. Kjo është hera e dytë që takimi ndërkombëtar i Tezesë zhvillohet pa themeluesin e vet, i cili u vra në gushtin e vitit të kaluar nga një grua me të meta mendore.
Papa Benedikti XVI, në mesazhin e tij për të rinjtë, thekson se është i sigurtë se ata do të japin kontributin e tyre për të vendosur marrëdhënie më vëllazërore, në mënyrë që i gjithë planeti të bëhet me të vërtetë një familje e madhe njerëzore, ku secili të pranohet e të duhet ashtu siç është, të njihet e të respektohet si bir i Zotit.
Ati i Shenjtë kujton tragjedinë e luftrave që shënuan kalimin nga Republika e ish-Jugosllavisë në shtetet aktuale. “Në këtë tokë kroate, të shënuar gjatë viteve të kaluara nga konfliktet – u shkruan Papa Racinger të rinjve – ju jeni shenjë e qartë e shpresës e tregoni se ju, të rinjtë, doni një humanitet të ri, të bazuar mbi njohjen e çdo njeriu, pavarësisht nga kombësia apo feja”. Mbi domethënien e këtij shtegtimi në Zagreb, intervistuam frer Rishard, nga Bashkësia e Tezesë:
Një shenjë shprese. Kroatët kanë ardhur në takimet evropiane që nga fillimi, që gjatë kohës së luftës, dhe tani, duket sikur është koha, ajo që takohet këtu për të treguar jetën e Kishës kroate, për t’u lejuar të rinjve të vendeve perëndimore e të gjithë Evropës, të njohin një Kishë që ka vuajtur, por që ka ruajtur gjithmonë një gjallëri mahnitëse.
Cila është kjo gjallëri për të cilën flisni? Cfarë ju ka bërë përshtypje në Kroaci?
Para së gjithash, ka një spontanitet të madh në mikpritje. Pastaj, është bukur të shohësh shumë të rinj nëpër kisha. E pastaj, edhe diçka e brendshme, që ndoshta nuk shihet menjëherë, e që më lë pa mend: dëgjoj përvoja njerëzish, që për shkak të fesë në Krishtin kanë falur e janë gati të falin gjëra shumë të vështira që kanë përjetuar. Ndoshta kjo nuk duket menjëherë. Nuk mund të harrohet gjithçka ka ndodhur, por mund të shkohet përpara, me dëshirën për të ndërtuar një të ardhme plot besim.
Veçanërisht të rinjtë janë të gatshëm për dialogun ekumenik e ndërfetar, që në këtë zonë praktikohet prej shekujsh…
Këtu ka plagë të hapura e hapat që duhet të bëjë secili janë tepër personale, duhen pajtuar me faktin që afër banojnë serbë e ortodoksë, apo myslimanë. Këtu në Zagreb, shumica është kroate, por ka edhe serbë e myslimanë. Është bukur të shikosh se si janë miq, se si në jetën e përditshme, duan të shkojnë përpara sëbashku.
Fatkeqësisht, frer Rozhé nuk mund të jetë më i pranishëm. Cili është mesazhi mbi të cilin do të reflektojnë të rinjtë në këtë takim?
Frer Alois ka qenë në një takim të rinjsh në Kalkutë e aty ka shkruar një letër për të rinjtë me titull “Letra e Kalkutës”. Në fillim flet për vëmendjen gati të natyrshme që shoqëria indiane i kushton Zotit dhe bën reflektimin se sot, në shoqëritë tona të shekullarizuara, duhet ta kuptojmë se si jetohej dikur kjo vëmendje kaq e thjeshtë dhe kaq e natyrshme ndaj Zotit. Kjo ka qenë një temë e dashur edhe për frer Rozhè e madje, Papa Benedikti XVI e përmendi në vizitën e tij në Turqi. Më pas frer Alois flet për dy gjëra: vëmendjen ndaj Zotit dhe respektin për çdo njeri. Kur zgjohet kjo vëmendje spontane dhe e thjeshtë ndaj Zotit, jemi gati të respektojmë të tjerët dhe të respektojmë çka është e shenjtë për çdo person. Do të donim pra, që nëpërmjet këtij takimi, të rritej besimi e të reflektonim mbi unitetin e familjes sonë njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.