2006-12-27 18:00:23

Benedikti XVI:Selia e Shenjtë ‘veprimtare e paqes’ në botë ‘jo duke ushtruar rol politik por si autoritet fetar e moral’.Përgjigje presidentit të Iranit.


(27.12.06 RV) Në përfundim të audiencës së përgjithshme të ditës së sotme, Benedikti XVI priti në një sallë pranë asaj të Palit VI, ministrin e jashtëm iranian, Motaki, i shoqëruar nga zv.presidenti Mashai, që i dorëzuan Papës një mesazh të presidentit Ahmadinexhad. “Gjatë bisedës – bën të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit – përfaqësuesit iranianë i shprehën Papës urimet e tyre dhe kënaqësinë për 50 vjet marrëdhëniesh diplomatike ndërmjet Iranit dhe Selisë së Shenjtë. Nga ana e tij, Papa u ktheu urimet dhe ripohoi rolin e Selisë së Shenjtë për paqen në botë, rol që ajo e ushtron jo si autoritet politik, por si autoritet fetar e moral, duke u bërë thirrje ndërgjegjeve që problemet e popujve të zgjidhen gjithnjë me dialog, në mirëkuptim e në paqe”.
Kjo ishte një vizitë e papritur e përfaqësuesit iranian, shpallur nga agjensia zyrtare e Teheranit Irna, sot paradite. Një nga zëdhënësit e presidencës iraniane, Ehsad Jahanxhideh, ka njoftuar se letra që iu dorëzua Papës nuk ka përmbajtje politike, por flet në veçanti për rëndësinë e lidhjes së marrëdhënieve të reja politike mbi bazën e mësimeve të përbashkëta të profetëve. Disa ditë më parë, nunci apostolik në Teheran i dorëzoi presidentit Ahmadinexhad mesazhin e Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, tema e së cilës është: “Njeriu, zemra e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.