2006-12-25 18:11:08

Mesha solemne e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikkti XVI: shenja e Zotit është foshnja, që na thërret tè jemi solidarë me fëmijët, sidomos ata që vuajnë.


(25.12.06. RV) Homelia e Atit të Shenjtë Benediktit të XVI në Meshën e Krishtlindjes në mesnatë në Vatikan!
Të dashur vëllezër dhe motra,
porsa dëgjuam në Ungjill fjalën që Engjujt në Natën e Shenjtë u thanë barijve dhe që tani Kisha na e thotë ne me të madhe: “Sot në qytetin e Davidit lindi një Shëlbues, që është Krishti Zot. Ja shenja për ju: do të gjeni një fëmijë të mbështjellur në shpërgënj që rri në një grazhd. (Lk 2,11s). Asgjë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme, asgjë të madhërueshme që t’u jepet si shenjë barijve. Do të shohin vetëm një fëmijë të mbështjellur ndër shpërgënj, i cili si të gjithë fëmijët ka nevojë për kujdeset e së ëmës. Një fëmijë që ka lindur në një stallë dhe prandaj nuk është në një djep, por në një grazhd. Shenji i Zotit është fëmija dhe nevoja e tij për ndihmë në varfërinë e vet. Vetëm me zemër barijtë do të munden të shikojnë se te ky fëmijë është kthyer në realitet premtimi i Isaisë profet që dëgjuam në leximin e parë: “Një fëmijë është lindur për ne, na është dhënë një bir. Mbi shpatullat e tija ka shenjën e mbretërimit.” (Is 9,5).
As ne nuk na është dhënë një shenjë tjetër. Engjulli i Zotit nëpërmjet mesazhit të Ungjillit, na grishë edhe ne që të vihemi për rrugë me zemër për të parë foshnjën që pushon në grazhd.

Shenja e Zotit është thjeshtësia. Shenja e Zotit është foshnja. Shenja e Zotit është Ai që bëhet i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të mbretëruar. Ai nuk vjen me fuqi e madhështi të jashtme. Ai vjen si një foshnje – i pambrojtur e dhe nevojtar i ndihmës sonë. Nuk don të na mposht me anë të forcës. Na e heq frikën e madhështisë së Tij. Ai na kërkon dashurinë tonë porandaj edhe bëhet foshnje. Nuk do asgjë tjetër nga ne përveç dashurisë sonë, përmes së cilës mësojmë të hyjmë në mendjen e Tij dhe në vullnesën e Tij - mësojmë të jetojmë me Të dhe të zbatojmë me Të edhe përvujtëninë e të hequrit dorë, që është pjesë e thelbit të dashurisë. Zoti u bë i vogël në mënyrë që ne Ta kuptonim, Ta mirëprisnim, Ta donim.
Etërit e Kishës në përkthimin greqisht të Besëlindhjes së Vjetër, gjenin një fjalë të profetit Isai, që edhe Pali e citon, për të na treguar sesi rrugët e reja të Zotit ishin paralajmëruar qysh në Besëlidhjen e Vjetër. Aty thuhej: “Zoti e ka bërë Fjalën e vet të shkurtër, e ka shkurtuar.” (Is 10,23; Rom 9,28)
Etërit e interpretonin në një mënyrë të dyfishtë. Vetë Biri është Fjala, Logos-i; Fjala e Amshuar është bërë e vogël – aq e vogël sa të hyjë në një grazhd. Është bërë foshnje në mënyrë që Fjala për ne të bëhet e kapshme. Kështu Zoti na mëson t’i duam të vegjëlit. Na mëson kështu të duam të ligështit. Na mëson kësisoj respektin përballë fëmijëve. Foshnja e Betlehemit e drejton shikimin tonë nga të gjithë fëmijët që vuajnë dhe të abuzuar nëpër botë, ata që kanë lindur si edhe ata që nuk kanë lindur. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, udhëhiqen për në një botë dhune, drejt fëmijëve që duhet të lypin, drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi dhe uria, drejt fëmijëve që nuk provojnë asnjë lloj dashurie. Te të gjithë këta është Foshnja e Betlehemit që na tërheq vëmendjen. Na tërheq Zoti që është bërë fëmijë. Le të lutemi në këtë natë që rrezatimi i dashurisë së Zotit t’i përkëdhelë të gjithë këta fëmijë, dhe le t’i kërkojmë Zotit që të na ndihmojnë që të bëjmë pjesën tonë, në mënyrë që të respektohet dinjitetit i fëmijëve, që për të gjithë të lindë drita e dashurisë, për të cilën njeriu ka më shumë nevojë sesa për gjërat materiale të nevojshme për jetesë.
E me këtë mbrritëm te domethënia e dytë që Etërit vinn në dukje të shprehja: “Zoti e ka shkurtuar Fjalën e vet.” Fjala që Zoti na përçon në librat e Besëlidhjes së Vjetër, ishte bërë përgjatë shekujve e gjatë. E gjatë dhe e ndërlikuar jo vetëm për njerëzit e thjeshtë dhe analfabetë por madje edhe më tepër për njohësit e Shkrimit Shenjtë, për të urtit që natyrisht ngatërroheshin në hollësira dhe në problemet që buronin, duke mos arritur thuajse që të gjenin më një vizion të përgjithshëm. Jezusi e bëri “të shkurtër” Fjalën – na bëri të shohim thellësinë e saj më të madhe dhe unitetin. Gjithçka na mëson Ligji dhe profetët është përmbledhur – thotë – te fjalët: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, e me gjithë mëndjen tënde.. Duaje të afërmin tënd si vetëveten.” (Mt 22, 37-40). Kjo është e gjitha – krejt besimi përmblidhet në këtë akt të vetëm dashurie që përqafon Zotin dhe njerëzit. Por menjëherë lindin pyetje: si mundemi Ta duam Zotin me gjithë mendjen tonë kur e kemi të zorshme ta gjejmë me aftësinë tonë mendore? Si Ta duam me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë nëse kjo zemër mezi arrin Ta shohë nga larg e percepton shumë gjëra kontradiktore në botë, të cilat e fshehin fytyrën e Tij përballë nesh? Te kjo pikë takohen dy mënyrat me të cilat Zoti “e ka bërë të shkurtër” fjalën e Vet. Ai nuk është më larg. Nuk është më i panjohur. Nuk është më i paarritshëm për zemrën tonë. Është bërë foshnje për ne dhe me këtë ka larguar çdo dyshim. Është bërë i afërm me ne, duke çuar në vend kësisoj edhe shëmbëlltyrën e njeriut që shpesh na shfaqet aq e pakëndëshme. Zoti u dhurua për ne. Dhuroi Vetëveten. Merr kohë për ne. Ai i Amëshuemi, që është mbi kohën, merr kohën, lartëson kohën tonë pranë Tij. Krishtlindja është bërë festa e dhuratave për të imituar Zotin që ka dhuruar Vetëveten për ne. Ta lëmë zemrën tonë, shpirti ynë dhe mendja jonë të preken nga ky fakt! Ndërmjet shumë dhuratash që blejmë dhe marrim të mos harrojmë dhuratën e vërtetë: t’i dhurojmë njëri-tjetrit diçka nga vetëvetja! T’i dhurojmë njëri-tjetrit kohën tonë. T’ia hapim kohën tonë Zotit. Kështu shkrihet ankthi. Kështu lind gëzimi, kështu krijohet festa. E të kujtojmë nëpër bankete festive të këtyre ditëve fjalën e Zotit: “Kur shtron një banket, mos fton ata që e din se do të të ftojnë, por fto ata që nuk janë të ftuar nga askush dhe që nuk janë në gjendje të të ftojnë (cfr Lk 14, 12-14). Dhe kjo do të thotë pikërisht edhe se kur ti për Krishtlindje bën dhurata, mos u dhuro diçka vetëm atyre që e di se pastaj do të të bëjnë dhurata, por dhuroju atyre që nuk marrin dhurata nga askush dhe që e di se nuk mund të të japin asgjë në këmbim. Kështu ka vepruar vetë Zoti: Ai na fton në banketin e tij të dasmës që ne nuk mund t’ia shpërblejmë, e që mundemi vetëm ta pranojmë me gëzim. Le ta imitojmë! Të duam Zotin dhe duke u nisur nga Ai, edhe njeriun, që të rizbulojmë pastaj, duke u nisur nga njerëzit Zotin në një mënyrë të re.
Kështu na shfaqet në fund edhe një domethënie e tretë e pohimit mbi Fjalën bërë “të shkurtër” dhe “të vogël”. Barijve iu tha se do ta gjenin foshnjen në një grazhd për kafshët, që ishin edhe banorët e vërtetë të stallës. Duke lexuar Isainë (1,3) Etërit dolën në përfundimin se në grazhdin e Betlehemit ishin edhe një kà e një gomar. Në të njëjtën kohë e interpretonin këtë tekst në kuptimin që në të gjindej një simbol i judejve dhe i paganëve- pra i mbarë njerëzimit- të cilët kanë nevojë secili në mënyrën e vet për një shëlbues: për atë Zot që u bë foshnje. Njeriu për të jetuar ka nevojë për bukën, frutin e tokës dhe të mundit të tij. Por nuk jeton vetëm me bukë. Ka nevojë për shujtë për shpirtin e tij. Ka nevojë për një kuptim që t’a përplotësojë jetën e tij. Kështu për Etërit grazhdi i kafshëve u bë simboli i altarit, mbi të cilin pushon Buka që është Krishti vetë, ushqimi i vërtetë për zemrat tona. Dhe shohim edhe një herë, sesi Ai është bërë i vogël: në pamjen e përvuajtur të ostes, të një copëze buke, Ai dhuron Vetëveten.

Për të gjitha këto flet shenja që iu dha barijve dhe që na jepet edhe ne. Foshnja që na u dhurua, fëmija në të cilin Zoti është bërë i vogël për ne. Të lusim Zotin të na dhurojë hirin që në këtë natë të vështrojmë grazhdin me thjeshtësinë e barijve që të përftojmë kështu gazmendin me të cilin ata u kthyen nëpër shtëpi (cfr Lk 2,20). Ta lusim të na japë përvujtërinë dhe besimin me të cilin Jozefi vështroi foshnjën që Maria kishte lindur nga Shpirti i Shenjtë. Le të lutemi që ta na lejojë ta shikojmë me atë dashuri me të cilën edhe Maria e pati kundruar. E të lutemi kështu që drita që barijtë panë, të na ndriçojë edhe ne dhe që të përmbushet në të gjithë botën ajo çka engjujt kënduan atë natë: “Lavdi Zotit në lartësitë qiellore dhe paqe në tokë njerëzve që ai don”. Ashtu kjoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.