Krishti –Foshnje është bartësi i pavdekshëm i mesazhit të paqes e të shpresës, Shpëtimtari
i të gjithë njerëzve dhe përgjigjia ndaj dramave të botës: kështu Papa në Mesazhin
Urbi et Orbi
(25.12.06. RV) Mesazhi Urbi et Orbi i Papës Benedikti XVI për Krishtlindje! “U
lind në botë Shpëtimtari ynë!” Këtë natë edhe një herë, dëgjuam rishtas nëpër Kishat
tona këtë kumt që pavarësisht rrjedhjes së shekujve ruan të padryshuar freskinë e
vet. Është një kumt qiellor që na grish të mos kemi frikë sepse ka shpërthyer “një
gëzim i madh që do të jetë i krejt popullit” (Lk 2, 10). Është një kumt shprese sepse
na njofton se atë natë të para dymijëvjetëve, “u lind në qytetin e Davidit një shpëtimtar,
që është Krishti Zot”. (Lk 2, 11). Atëherë barijve që kishin fushuar në kodrën e Betlehemit,
sot neve banorëve të kësaj bote, Engjulli i Krishtlindjes na përsërit: “U lind Shpëtimtari.
U lind për ju! Ejani, ejani Ta adhurojmë!”
Por a ka ende vlerë e domethënie
një “Shpëtimtar” për mijëvjeçarin e tretë? Është ende i nevojshëm një Shpëtimtar për
njeriun që ka mbrritur në Hënë dhe në Mars dhe që përgatitet për të pushtuar Gjithësinë,
për njeriun që eksploron pakufi sekretet e natyrës dhe arrin të deshifrojë deri edhe
kodet e mrekullueshme të gjenomës njerëzore? Ka nevojë për një Shpëtimtar njeriu që
ka shpikur komunikimin interaktiv, që lundron në oqeanin virtual të internetit dhe,
falë teknologjive më moderne e më të përparuara të masmediave, e ka shndërruar Tokën,
këtë shtëpi të madhe të përbashkët në një fshat të vogël të globalizuar? Paraqitet
si i sigurtë dhe krijues i vetëmjaftueshëm i fatit të vet, fabrikues entuziast i sukseseve
të padiskutueshme ky njeri i shekullit të njëzetenjëtë. Duket por nuk është kështu.
Ende vdiset nga uria dhe etja, nga sëmundjet dhe varfëria në këtë kohë të bollëkut
dhe të konsumizmit të shfrenuar. Ka prap që janë skllevër, të shfrytëzuar dhe të fyer
në dinjitet, ka që janë viktima të urrejtjes raciale dhe fetare, të penguar nga mostoleranca,
diskriminimet, ndërhyrjet politike dhe detyrimet fizike dhe morale në të ushtruarit
e lirë të besimit fetar. Ka prej atyre që shohin trupin e vet dhe të të dashurve të
vet, veçanërisht fëmijë, të martirizuar nga përdorimi i armëve, nga terrorizmi dhe
nga çdo lloj tjetër dhune në një epokë kur të gjithë thërrasin dhe shpallin progresin,
solidaritetin dhe paqen me të gjithë. E çfarë të thuash për ata, që pa shpresë, janë
të shtrënguar të lënë shtëpinë dhe atdheun e vet për të kërkuar dikund tjetër kushte
jetese të denja për një njeri? Çfarë të bëjmë për të ndihmuar ata që janë mashtruar
nga profetë të lumturisë së lehtë, ata që janë të brishtë në marrëdhënie dhe të paaftë
të marrin përgjegjësi të përgjithmonshme për të tashmen dhe për të ardhmen, e që gjinden
duke ecur në tunelin e vetmisë dhe shpesh përfundojnë skllevër të alkoolit apo të
drogës? Çfarë të mendojmë për ata që zgjedhin vdekjen duke besuar se po himnizojnë
jetën?
Si të mos dëgjojmë se pikërisht nga fundi i këtij njerëzimi dëfryes
dhe të dëshpëruar lartësohet një lutje sfilitëse për ndihmë? Është Krishtlindje. Sot
hyn në botë “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9). “Fjala u bë njeri dhe
erdhi të jetojë në mesin tonë” (ibid. 1,14), shpall Ungjilltari Gjon. Sot, pikërisht
sot, Krishti vjen përsëri “në mes të njerëzve të tij” atyre që e presin u jep “fuqinë
të bëhen bijtë e Zotit”, u jep pra mundësinë të shohin lavdinë hyjnore dhe të bashkëndajnë
gëzimin e Dashurisë, që në Betlehem u bë njeri për ne. Sot, edhe sot, “Shpëtimtari
ynë u lind në botë” sepse e di se kemi nevojë për Të. Pavarësisht formave të ndryshme
të progresit, qenia njerëzore ka mbetur po ajo e gjithmonshmja: një liri e nderur
në mes të së mirës dhe të së keqes. Dhe është pikërisht aty në intimitetin vet, në
atë që Bibla e quan “zemër”, ku ajo ka gjithnjë nevojë “të shpëtohet”. Dhe në epokën
e tanishme postmoderne, mbase ka më shumë nevojë për një Shpëtimtar, sepse më e ndërlikuar
është bërë shoqëria në të cilën jeton dhe më tinzare janë bërë kërcënimet për integritetin
e saj personal dhe moral. Kush mund ta mbrojë përveç Atij që e do aq sa të sakrifikojë
në kryq të njëlindurin Bir si Shpëtimtar të botës?
“Salvator noster”, Krishti
është Shpëtimtari edhe i njeriu të sotëm. Kush do ta bëjë të tingëllojë në çdo skaj
të botës në mënyrë të besueshme këtë mesazh shprese? Kush do të punojë që të njihet,
tutelohet e të promovohet e mira e plotë e qenies njerëzore, si kusht paqeje, duke
respektuar çdo burrë dhe çdo grua në dinjitetin e vet? Kush do të ndihmojë që të kuptohet
se me vullnet të mirë, arsye dhe moderim është e mundur që të shmanget ashpërsimi
i konflikteve dhe që përkundrazi të gjinden zgjidhje të drejta? Me shqetësim të madh
mendoj, në këto ditë festash, për zonën e Lindjes së Mesme, shenjuar nga kriza të
rënda dhe konflikte të panumërta, dhe uroj që të ketë hapje ndaj perspektivave të
paqes së drejtë dhe të gjatë, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme të popujve
që e përbëjnë. Lë në duart e Foshnjës së Betlehemit shenjat e rifillimit të dialogut
ndërmjet Izrealitëve dhe Palestinezëve, dëshmitarë të të cilave kemi qenë këto ditë
dhe shpresën e zhvillimeve të mëtejshme ngushllimtare. Kam besim se pas aq shumë
viktimash, shkatërrimi dhe pasigurie të mbijetojë dhe të të përparojë një Liban demokratik,
i hapur ndaj të tjerëve, në dialog me kulturat dhe besimet fetare. U bëj thirrje atyre
që kanë në dorë fatet e Irakut, që të ndalojë dhuna mizore që po përgjak vendin dhe
që çdo banori t’i sigurohet një ekzistencë normale. Lus Zotin që në Sri Lankë të dëgjohet
nga palët në konflikt gulçimi i popullatave për një të ardhme vëllazërimi dhe solidaritetit;
Që në Darfur dhe kudo në Afrikë t’u jepet fund konflikteve vëllavrasëse dhe që të
mbyllën plagët e hapura në trupin e atij Kontinenti, të konsolidohen proceset e ripajtimit
të demokracisë dhe të zhvillimit. Bëftë Krishti Fëmijë, Princ i Paqes, që të shuhen
ato vatra tensioni që e bëjnë të ardhmen të pasigurtë në pjesë të tjera të botës,
në Evropë si edhe në Amerikë Latine. “Salvator noster”: kjo është shpresa jonë;
ky është kumti që Kisha bën të tingëllojë edhe në Krishtlindjen e sotshme. Me mishërimin,
na kujton Koncili II i Vatikanit, Biri i Zotit u bashkua në një farë mënyre me çdo
njeri (cfr Gaudim et Spes, 22). Prandaj Lindja e Kokës është edhe Lindja e Trupit,
siç vinte në dukje Papa Shën Luani i Madh. Në Betlehem lindi një popull i krishterë,
korp mistik i Krishtit në të cilin çdo anëtar është i lidhur me tjetrin intimisht
me një solidaritet total. Shpëtimtari ynë ka lindur për të gjithë. Duhet ta shpallim
jo vetëm me fjalë por edhe me krejt jetën tonë duke i dhënë botës dëshmi për bashkësi
të lidhura e të hapura, në të cilat mbretëron vëllazëria dhe falja, mikpritja dhe
shërbimi i ndërsjelltë, drejtësia, e vërteta, drejtësia dhe dashuria.
Bashkësi
e shpëtuar nga Krishti. Kjo është natyra e vërtetë e Kishës, që ushqehet me Fjalën
e tij dhe me Korpin e tij eukaristik. Vetëm duke rizbuluar dhantinë e marrë Kisha
mund t’u dëshmojë të gjithëve Krishtin Shpëtimtar. E bën me entuziazëm dhe pasion,
duke respektuar çdo traditë kulturore dhe fetare; e bën me gëzim duke ditur se Ai
që kumton nuk na heq asgjë nga ajo çka është me të vërtetë njerëzore, por e çon në
përmbushjen e vet të vërtetë. Në të vërtetë, Krishti vjen vetëm për të shkatërruar
të keqen, vetëm mëkatin; pjesa tjetër, krejt pjesën tjetër ai e lartëson dhe e përsos.
Krishti nuk na shpëton nga njerëzia jonë por përmes saj; nuk na shpëton nga bota,
por ka ardhur në botë në mënyrë që bota të shpëtojë nëpërmjet Tij (cfr Gjn 3,17)
Të
dashur vëllezër dhe motra, kudo që jeni, le t’ju mbërrijë ky mesazh gëzimi dhe shprese:
Zoti është bërë njeri në Jezu Krishtin, ka lindur nga Maria Virgjër dhe lindet rishtas
sot në Kishë. Është Ai që ju sjell të gjithëve dashurinë e Atit Hyjnor. Është Ai Shpëtimtari
i botës! Mos kini frikë, hapjani zemrën, priteni që Mbretëria e Tij e dashurisë dhe
e paqes të bëhet trashëgimi e përbashkët e të gjithëve. Gëzuar Krishtlindjen!