2006-12-22 18:52:51

Paqja mbi Tokë nuk mund të vijë pa pajtimin me Zotin. Papa Benedikti XVI shkëmben urimet e Krishtlindjes me bashkëpunëtorët e Kuries Romake.


(22.12.06 RV) RealAudioMP3 Paqja mbi Tokë nuk mund të vijë pa pajtim me Zotin: kështu tha sot Papa Benedikti XVI në takimin tradicional me kurien romake për të shkëmbyer urimet e Krishtlindjes. Ati i Shenjtë përmendi 4 udhëtimet e tij apostolike, duke vënë edhe një herë theksin mbi dialogun ndërmjet fesë e arësyes.
Një fjalim me intensitet të jashtëzakonshëm, një reflektim me kardinajtë mbi temat kryesore që kanë karakterizuar papninë e Benediktit XVI deri tani. Mendimi i parë e Atit të Shenjtë ishte për ata që vuajnë nga shkaku i luftës në Tokën e Shenjtë, ndërsa bota përjeton rrezikun e një “ndeshjeje ndërmjet kulturash e fesh”:
Paqja mbi Tokë nuk mund të vijë pa pajtim me Zotin, pa harmoni ndërmjet qiellit e tokës. Kjo lidhje e temës së Zotit me temën e paqes ka qenë aspekti vendimtar në katër Udhëtimet Apostolike të këtij viti: në to dua të shkoj me kujtesë në këtë moment.
Ne njerëzit, theksoi më pas Papa Racinger, do të kishim dëshirë që Krishti t’i ndalonte një herë e përgjithmonë luftrat, të shkatërronte armët e të vendoste paqen universale. Por paqja nuk mund të arrihet vetëm nga jashtë dhe përpjekja për ta vendosur me dhunë sjell vetëm tjetër dhunë. Ati i Shenjtë fton t’ia hapim zemrat Zotit dhe t’i lutemi Atij, që paqja e arësyeshme të fitojë mbi dhunën e paarësyeshme. E pikërisht raporti ndërmjet arësyes e fesë qe në qendër të leksionit të tij në Universitetin e Ratisbonës, gjatë udhëtimit të Benediktit XVI në Gjermani:
Arësyeja ka nevojë për Fjalën, që është në fillim dhe është drita jonë; feja, nga ana e saj, ka nevojë të hyjë në dialog me arësyen moderne, për të kuptuar madhështinë e vet dhe për t’iu përgjigjur përgjegjësive të veta. Është një çështje që nuk ka aspak vetëm natyrë akademike; në të luhet e ardhmja e ne të gjithëve.
Urgjenca e dialogut ndërmjet fesë e arësyes bëhet gjithnjë e më madhe, sa më shumë shtohen njohuritë që kemi ndaj botës, sa më shumë fitore korr shkenca. Në këto raste, shpjegon Papa, duket sikur arësyeja është zoti i botës, nuk pranon kufi dhe i referohet vetëm vetvetes. Ky është një problem që ndihet sidomos në Perëndimin e shekullarizuar. Problemi i madh i Perëndimit është harrimi i Zotit, thekson Ati i Shenjtë. Arësyeja e shekullarizuar nuk mund të dialogojë me fenë, pasi ia ka mbyllur dyert Zotit. E kjo mund të çojë në ndeshje ndërmjet kulturave.
Duke marrë shkas nga ky reflektim, Benedikti XVI përmendi udhëtimin e tij në Turqi, dialogun e nevojshëm me botën myslimane, e cila gjendet sot para një detyre mjaft të ngjashme me atë, para së cilës u gjendën të krishterët, duke filluar nga koha e iluminizmit. E ja edhe rruga që propozon Ati i Shenjtë për dialogun ndërmjet fesë e arësyes:
Nga njëra anë, duhet kundërshtuar diktatura e një arësyeje pozitiviste (thjesht shkencore), që e përjashton Zotin nga jeta e bashkësive e nga normat publike. Nga ana tjetër, është e nevojshme të pranohen fitoret e vërteta të iluminizmit, të drejtat e njeriut e veçanërisht liria e fesë dhe e ushtrimit të saj, duke parë në to elementet thelbësore edhe për vërtetësinë e fesë.
Me impenjimin për të vazhduar në këtë drejtim dialogun me myslimanët, Benedikti XVI uroi që të krishterët në Turqi të gjejnë gjithnjë e më tepër mundësinë për të shprehur vetveten, sipas parimit të lirisë së fesë, sanksionuar edhe në kushtetutën turke.
Kujtesa e Papës kalon pastaj në vizitën e tij historike në kampin e Aushvicit-Birkenau, “në vendin e barbarive më të pashpirt”, siç i quajti Ati i Shenjtë:
Ishte për mua ngushëllim i madh kur pashë në qiell ylberin, ndërsa unë, para tmerrit të atij vendi, ashtu si Jobi thërrisja Zotin, i tronditur nga frika e mungesës së tij të dukshme e njëkohësisht, i sigurtë se Ai edhe në heshtje është gjithnjë pranë nesh.
Ai ylber – kujtoi Papa – ishte si një përgjigje hyjnore: “Po, Unë jam”, fjalët e premtimit, të Besëlidhjes, të shqiptuara nga Zoti pas përmbytjes universale, janë të vlefshme edhe sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.