Përkujtojmë Pater Dedën e madh në 159-vjetorin e ditëlindjes.
(21.12.2006 RV)Mbushen sot 159 vjet nga data 21 dhjetor 1847, kur lindi misionari
jezuit, Atë Domeniko Pazi, që mbeti përjetësisht në kujtesën e popullit shqiptar me
emrin Patër Deda i Madh. E quajtën kështu jo vetëm sepse kishte shtat vigan, por
kryesisht sepse vigan kishte shpirtin, kulturën, dashurinë, vëllazërimin. Për ta përshkruar
si duhet portretin e tij, duhet të lexosh tre vëllimet e veprës monumentale "Albania".
E, si ta kesh kryer së lexuari, do të kujtohesh se jeta e këtij misionari të ndritur
është krejtësisht e shkrirë me jetën e popullit shqiptar. Ishte ai që themeloi misionin
e famshëm shëtitës të jezuitëve, i cili i ngjitej shkrepave e majeve të maleve shqiptare,
mbuluar me dëborën e përjetshme e ulej rreth vatrave malësore, ku vrisnin njëlloj
ngrica e arma, për të zbutur jetën e për të pajtuar gjaqet. Rreth këtij misioni, kudo
i shkelte këmba, mblidheshin burra e gra, pleq e fëmijë, për të dëgjuar fjalën e Krishtit,
për të falur e për t'u pajtuar në emër të tij. Patër Deda e shkriu një pjesë të mirë
të jetës ndërmjet këtyre njerëzve, për t'u kthyer herë pas here në Kolegjin Saverian
në Shkodër, ku kishte qenë i pari rektor e ku kishte botuar shumë tekste për shkollat
shqipe. Në netët e errëta të bjeshkëve, nën dritën e pishtarit, ai ulej përdhé
e shkruante mbresat e ditës, të ditëve, historinë e atij vendi e atyre njerëzve të
thjeshtë, të ngatërresave, armiqësive, gjaqeve, pajtimit e paqes që binte ndër vatrat
ku hynte Kryqi. Shkruante historinë e luftës e të paqes, të njerëzve e të Kishës.
Kur kthehej pastaj në Shkodër, e përpunonte materialin, të cilin sa qe gjallë nuk
mundi ta shihte të botuar. Duke ecur në gjurmët e tij, shkrimet e Patër Dedës së Madh,
i përpunoi dhe i botoi sivëllau, Atë Kordinjano, duke na lënë trashëgim tre vëllimet
e "Albanisë". Nuk është lehtë ta njohësh e ta tregosh jetën e misionarit të madh
jezuit. Ne vetëm sa e kujtuam sot, me mirënjohje të thellë, në 159 vjetorin e lindjes.