Në audiencën e përgjithshme para Krishtlindjes, Benedikti XVI pohoi se gëzimi i vërtetë
është vetëm në Jezusin që lind e jo në iluzionet e "profetëve të rremë".
(20.12.2006 RV)(Teksti i
plotë i katekizmit) “Zoti është afër: ejani ta adhurojmë!”. Me këtë thirrje liturgjia
na fton, këto ditë të fundme të Kohës së Ardhjes, t’i afrohemi, gati-gati në majë
të gishtërinjve, Shpellës së Betlehemit, ku ndodhi ngjarja e jashtzakonshme, që ia
ndryshoi rrjedhën historisë: lindja e Shëlbuesit. Natën e Krishtlindjes ndalemi përsëri
para Shpellës së Betlehemit, për të kundruar, të mrekulluar, “Fjalën e mishëruar”.
Ndjesi gëzimi e mirënjohjeje rilindin në zemrat tona si çdo vit, duke dëgjuar meloditë
e Këshndellave që, në gjuhë të ndryshme, i këndojnë së njëjtës mrekulli të jashtzakonshme.
Krijuesi i universit erdhi për dashuri e nguli banesën e vet ndërmjet njerëzve. Në
letrën drejtuar Filipianëve, Shën Pali pohon se Krishti: “…edhe pse me natyrë Hyj,
barazinë e vet me të, nuk e çmoi si një vizar që s’mundet pa të; por ia mohoi vetvetes
e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (2,6). U duk në formë
njerëzore – shton Apostulli – duke e përulur vetveten”. Në Natën e Shenjtë të Krishtlindjes
ne rijetojmë realizmin e këtij misteri tejèt të lartë të hirit e të mëshirës. Shton
Shën Pali: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej një
gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne të
bëheshim bijtë e tij në shpirt”. (Gal 4,4-5) Në të vërtetë që prej shumë shekujsh
populli i zgjedhur priste Mesinë, duke e përfytyruar si njeri të fuqishëm e si kryetrim
fitimtar, që do ta çlironte nga thundra e të huajve. Por nuk ngjau kështu. Shpëtimtari
lindi në heshtje të thellë e në varfëri të plotë. Erdhi si dritë që ndriçon çdo njeri
– vëren Shën Gjoni – por të tijtë nuk e pranuan” (Gj. 1,9.11). Atëherë Apostulli vijon:
“Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëheshin bij të Hyjit” (GJ.1,12). Drita e premtuar
ndriçoi zemrat e atyre që e kishin pritur me një pritje këmbëngulëse, vigjilente,
veprimtare. Liturgjia e Kohës së Ardhjes na nxit edhe ne të jemi të përkorë e vigjilentë,
të mos e ngarkojmë veten me barrën e mëkatit e të shqetësimeve të tepruara të botës.
Vetëm duke vigjëluar e duke u lutur mund ta njohim e ta pranojmë vezullimin e Lindjes
së Krishtit. Shën Maksimi i Torinos, në një nga homelitë e tij, pohon: “Koha na kujton
se lindja e Krishtit Zot është afër. Bota, e zhytur në të njëjtat ankthe, e ndjen
afrimin e ngjarjes që do ta përtërijë dhe dëshiron, me një pritje të padurueshme,
që drita e një dielli më të shkëlqyeshëm ta ndriçojë errësirën në të cilën është e
zhytur. Kjo pritje e krijimit na bind edhe neve për të pritur lindjen e Krishtit,
Diellit të ri” (Fj. 61.a,1-3). Është, pra, vetë krijimi që na shtyn ta zbulojmë e
ta pranojmë Atë që duhet të vijë. Por, a e pret akoma Shëlbuesin njerëzimi i kohës
sonë? Të krijohet përshtypja se Zoti është i huaj për interesat e disa njerëzve. Të
duket se disa nuk kanë më nevojë për Të: jetojnë si të mos ishte e, edhe më keq akoma,
e shikojnë si pengesë që duhet zhdukur në përpjekjen për të realizuar vetveten. Edhe
ndërmjet besimtarëve ka të atillë që ia lejojnë vetes të tërhiqen nga ëndrra joshëse
e të hutohen nga doktrina dredharake, që propozojnë rrugë të shkurtëra për të arritur
lumturinë. E pra, me gjithë kundërshtitë, me ankthet e dramat e veta, e ndoshta-ndoshta
pikërisht për shkak të tyre, njerëzimi sot kërkon një Shëlbues dhe pret, nganjëherë
edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ardhjen e Krishtit, të vetmit Shpërblyes të njeriut.
Profetë të rremë vijojnë të propozojnë shëlbimin që kushton lirë e që çon në zhgënjime
përvëluese. Është detyrë e ne, të krishterëve, ta përhapim me dëshminë e jetës sonë,
të vërtetën e Këshndellave, që Krishti ia sjell çdo burri e çdo gruaje vullnetmirë.
Duke lindur në varfëri të plotë në një Shpellë, Jezusi vjen t’u sjellë të gjithëve
atë gëzim e atë paqe që mund ta mbushin plot shpirtin njerëzor në pritje. Po si
mund të përgatitemi për t’ia hapur zemrën Zotit që vjen? Karakteristikë themelore
e sjelljes të të krishterit në këtë Kohë, kur presim Zotin, duhet të jetë vigjilenca
e lutja. Kështu e pritën edhe protagonistët e ngjarjes së madhe: Zakaria e Elizabeta,
barinjtë, Mbretërit Dijetarë dhe populli i thjeshtë e i përvujtë. E sidomos e pritën
kështu Maria e Jozefi! Këtyre të fundit, më shumë se të tjerëve, iu dridh të parëve
zemra në pritje të fëmijës që duhet të lindte. Nuk është e vështirë ta përfytyrojmë
si i kaluan ditët e fundit, në pritje për ta shtrënguar ndër krahë foshnjën e posalindur.
Ta presim edhe ne si ata, të dashur vëllezër e motra! Të dëgjojmë, me këtë rast, thirrjen
e Shën Maksimit, ipeshkvit të Torinos, që e cituam edhe më sipër: “Ndërsa presim Lindjen
e Zotit, të vishemi përsëri me rroba të pastra, pa asnjë njollë. Flas për veshjen
e shpirtit, jo për atë të korpit. Të vishemi jo me rroba mëndafshi, por me vepra të
shenjta! Veshjet madhështore mund të mbulojnë gjymtyrët, por nuk e zbukurojnë ndërgjegjen”.
(ibid). Duke lindur ndërmjet nesh, Krishti Fëmijë nuk duhet të na gjejë të çkujdesur
ose të zënë thjeshtë me zbukurimin e me ndriçimin e shtëpive tona. Të kujdesemi më
shumë për t’i ngritur në shpirtin tonë e në familjet tona një banesë të denjë, ku
Ai ta ndjejë se e presim me fe e dashuri. Na ndihmofshin Virgjëra Mari e Shën Jozefi
për ta jetuar misterin e Krishtlindjes me të njëjtën mahnitje që e jetuan ata, me
gëzim e paqe. Me këto ndjenja dëshiroj t’u uroj të gjithëve përzemërsisht për shumë
vjet Krishtlindjen! E kalofshi me shenjtëri, me gëzim e paqe, ju, familjarët tuaj
e sidomos ata që vuajnë në trup e në shpirt. Gëzuar Krishtlindjen!