2006-12-19 17:23:47

Kalendari i riteve të Krishtlindjes kryesuar nga Benedikti XVI. Më 24 dhjetor përurimi i Shpellës së Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit.


(19.12.2006 RV) Veprimtaritë kryesore: Mesha e Mesnatës së Këshndellave dhe Mesazhi drejtuar Romës e Botës, shoqëruar me Bekimin Apostolik, ditën e solemnitetit të Lindjes së Krishtit.
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi kalendarin e veprimtarive liturgjike të Benediktit XVI për kremtimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri 2007:
Më 24 dhjetor, natën e solemnitetit të Lindjes së Zotit, Papa Ratzinger do të kremtojë Meshën solemne të Mesnatës së Këshndellave në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Më 25 dhjetor, në solemnitetin e Lindjes së Zotit, në mesditë, siç është bërë traditë prej disa vjetësh, nga lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë do t’i drejtojë mbarë njerëzimit mesazhin e Krishtlindjes dhe do të japë bekimin e Tij apostolik “Urbi et Orbi” – “Romës dhe botës”.
Më 31 dhjetor, dita e fundit të Vitit 2006, solemniteti i Zonjës së Bekuar, Nënës së Zotit, Benedikti XVI do të udhëheqë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Lutjet e para të mbrëmjes, gjatë të cilave do të këndohet himni tradicional i falënderimit të Zotit “Te Deum”, në përfundim të vitit civil.
Paraditen e 1 janarit 2007, Papa do të kryesojë Meshën Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit. Është solemniteti i Zonjës së Bekuar, Nënës së Zotit dhe Dita e XL Botërore e Paqes 2007 me temë: “Njeriu është zemra e paqes”.
Më 6 janar 2007, në solemnitetin e “Ujit të Bekuar”, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit.
Më 7 janar 2007, Festa e Pagëzimit të Zotit, Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI do të kryesojë, në Kapelën Sikstine, kremtimim eukaristik, gjatë të cilit do të pagëzojë disa fëmijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.