Kalendari Kishtar i 18 dhjetorit, përkujton Malakinë Profet.
(18.12.2006 RV)Libri i Malakisë mbyll serinë e profetëve të Besëlidhjes së
Vjetër. Simbolike versetet e fundit, që flasin për një lajmëtar të Zotit, të dërguar
për të rivendosur marrëdhëniet e drejta ndërmjet Zotit e popullit të vet. Është profeci
mesianike, që lind nga zemra e historisë së Izraelit e nuk kufizohet ndër rrethanat,
në të cilat lindi. Malakia jetoi e profetizoi disa dhjetvjeçarë pas ngritjes të tempullit,
që u krye së ndërtuari në vitin 520 para Krishtit, pas kthimit të izraelitëve nga
mërgimi. Në këtë kohë kishin profetizuar e kishin bërë ftesë për të shikuar përpara
profetët Agjeu e Zakaria. Por shpesh të krijohet përshtypja se rindërtimit të ritit
templar i mungon shpirti: kremtimi i dashurisë së Zotit, që vepron në histori.
Zëri i Malakisë ngrihet për të denoncuar shpërfilljen dhe kujdesin thjeshtë për anët
e jashtme, largimin nga Hyji e padrejtësinë. Profeti shenjt e kërkon rrugëzgjidhjen
në përgatitjen shpirtërore për takimin me Zotin, mesazh ky që tingëllon tepër aktual
në Kohën e Ardhjes. Kujtojmë se Shën Malakia është i fundmi i profetëve të vegjël
të Biblës, të cilët hebrenjtë, pikërisht për këtë arsye, i quajnë “Vula e profetëve”.
Shumë pak dihet për jetën e tij. Dihet me siguri vetëm se ishte nga fisi i Zabulonit,
se lindi në Sofa e se jetoi pas mërgimit babilonez (538 para Krishtit), gjatë pushtimit
persian. Megjithatë nuk mund të përcaktohet me siguri në se profecitë e tij janë bërë
para, njëkohësisht apo pas kthimit të Ezdrës në Palestinë. Kujtojmë se Ezdra qe prift
hebre, kodifikues i judaizmit në shekujt V-IV para Krishtit. Duke u nisur nga fakti
se në librat e Besëlidhjes së Vjetër, shkruar nga Ezdra e Nehemia nuk flitet për Malakinë,
mund të arrijmë në përfundim se ai jetoi pas tyre, ndoshta ndërmjet viteve 519 e 425
para Krishtit. Libri i Malakisë trajton probleme morale, që lidhen me bashkësinë
hebraike, kthyer nga internimi në Babiloni, të cilën e qorton rëndë për ankimet kundër
Provanisë Hyjnore dhe e nxit të pendohet.Ai vë në dukje në mënyrë të posaçme ‘zgjedhjen
e Izraelit’, gjë që nuk është thjeshtë privilegj nga ana e Hyjit, por përfshin edhe
detyrime, si çdo dhuratë hyjnore. Prandaj profeti qorton priftërinjtë që e lënë pas
dore dhe e fyejnë dinjitetin e Jahveh, duke mos i kryer si duhet shërbimet e kultit.
Vijon, më pas, të dënojë martesat e përziera, në sa mbron pazgjidhshmërinë e lidhjes
martesore. Libri mbyllet me një vegim eskatologjik, që kujton mbarimin e jetës tokësore,
fundin e botës e ardhjen e lajmëtarit të Hyjit, që do të përzgjedhë të mirët në gjirin
e popullit të vet; në këtë profeci mund të shembëllejmë ardhjen e Gjon Pagëzuesit.