2006-12-18 19:49:08

Gjendje e vështirë në Irak. Janë liruar 15 punonjës të Gjysëmhënës së Kuqe.


(18.12.06 RV)Së paku 4 vetë kanë vdekur e 19 janë plagosur gjatë shpërthimit të një autobombe sot paradite në Bagdad. Ndërkaq, duket se janë liruar 6 vetë nga 25 punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe, që u morën peng dje. Nuk dihet fati i të tjerëve.
Në një raport sekret, të botuar sot në gazetën amerikane “Uashington Tajms”, Arabia Saudite akuzon Iranin se ka krijuar një shtet shiit brenda Irakut. Sipas raportit, iranianët i furnizojnë milicët shiitë me armë dhe i stërvisin. Shoqatat bamirëse iraniane u japin fonde spitaleve dhe shkollave dhe Teherani mbështet eksponentët filo-iranianë në pushtet. Gjithnjë në kuadrin e dokumentave sekrete, po sot u paraqitën në procesin kundër Sadam Hyseinit, dokumenta të ushtrisë dhe të sigurimit të shtetit që rekomandojnë përdorimin e armëve kimike kundër kurdëve. Sadam Hyseini akuzohet për masakrën e 180 mijë kurdëve në fund të viteve ’80.


Në këtë situatë, patriku i Babilonisë së Kaldejve, Emanuel III Deli u ka kërkuar të gjithë të krishterëve të agjërojnë dy ditë, sot dhe nesër për t’iu lutur Zotit që të arrijë paqja e siguria në Irak. Të dëgjojmë imzot Filip Nazhim, prokurator apostolik për kaldejtë në Itali:
Kjo është diçka që ne e përsërisim çdo vit sipas kalendarit liturgjik. Këtë vit, Lumturia e Tij, patriku Deli, ndërmori këtë inciativë dhe ftoi të gjithë të krishterët e botës, sidomos ata të ritit kalde, tua kushtojnë këto dy ditë lutjes dhe agjërimit për Irakun e për gjithë popullin irakian: myslimanë, të krishterë e të feve të tjera, në mënyrë që të arrihet paqja e të mbrohen të drejtat e njeriut në Irak. I kërkojmë Zotit të Gjithpushtetshëm, nëpërmjet lutjes e agjërimit, të na japë hirin që të realizojmë paqen.
Si do të jetë Krishtlindja e të krishterëve irakianë?
Do të jetë një Krishtlindje shumë e thjeshtë, nuk do të jetë një Krishtlindje e lirë, nuk do të ketë shenja feste, drite, lulesh e ngjyrash, por do të jetë një Krishtlindje vërtet me lutje, në pritje të Shpëtimtarit, për të cilin, sidomos në këto momente të vështira, kemi nevojë. Kemi nevojë për këtë shëlbim, kemi nevojë për Zotin tonë Jezu Krisht që vjen të na shpëtojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.