2006-12-16 18:20:43

Krishtlindje në Vatikan: Bredhi vjen nga Kalabria, Shpella e Betlehemit rregullohet nga Trentino


(17.12.2006 RV)Sheshi i Shën Pjetrit po zbukurohet përsëri me Shpellën e Betlehemit, që është në përfundim e sipër dhe me Bredhin e Krishtlindjes, simbol i Parajsës, që tashmë është ngritur pranë obeliskut dhe po stoliset me drita. Dritat do të ndizen më 20 dhjetorin e ardhshëm nga kryetari i zonës së Kalabrisë, Agazio Loiero, gjatë një ceremonie festive plot vezullime e këngë.
Vijon kështu një traditë e nisur nga Papa Gjon Pali II që në vitin 1982.
Në të majtën e Bredhit, ngrihet Shpella e Betlehemit, që sivjet zë një sipërfaqe 400 metrash katrore dhe është studiuar në mënyrë të tillë, që të bjerë menjëherë në sy qysh nga kreu i Rrugës së Pajtimit dhe të shihet nga çdo skaj i Sheshit të Shën Pjetrit. Shpella e sivjetme e Betlehemit të kujton një peizazh tipik palestinez, dmth viset e shenjta ku lindi Krishti. Është projektuar duke pasur parasysh fjalët e Shën Lukës ungjilltar, që shkruan se Krishti lindi në një grazhd, të ndërtuar në pjesën e prapme të një hani. Në tekstin grek, Shën Luka e quan vendin e lindjes së Krishtit ‘kataluma’ që do të thotë han, prandaj Shpella e sivjetme e Betlehemit, që ka në qëndër Krishtin Fëmijë me Zojën e Shën Jozefin në të dy krahët, është vendosur nën një çadër të mbështetur pas shkëmbit dhe të kujton shpellat-stalla tipike të kodrave të Betlehemit.
Si çdo vit në të dy anët e skenës dallohen uji e zjarri, simbole të krishtera. Uji gurron nga kroi, simbol i burimit të jetës. Zjarri digjet në një oxhak aty pranë, duke simbolizuar vetë jetën, dritën e ngrohtësinë që burojnë nga Jezusi. Skena pasurohet me 17 personazhe, 9 nga të cilat janë origjinale e vijnë nga Shpella e Betlehemit ndërtuar më 1842 prej Shën Vincenzo Pallotit në Kishën romake Sant’ Andrea della Valle, ndërsa të tjerat janë shtuar gjatë vitesh. Sivjet vendosja e shtatoreve do të realizohet nga « Miqtë e Shpellës së Betlehemit » të Tezeros, qëndër e vogël në Trentino, me një traditë të pasur për krijimin e Shpellave të Betlehemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.