Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes në praninë e Benediktit XVI.
(15.12.2006. RV)Atë Raniero Kantalamesa,
predikatar i Shtëpisë Papnore propozoi një meditim mbi vajin e gëzimin. “Lum ata
që qajnë, sepse do të ngushëllohen”: mbi këtë lumni u mbështet predikatari për meditimin
e parë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në praninë e Atit të Shenjtë, në kapelën e Nënës
së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Sot Lumnitë duhen lexuar në dritën
e situatave të reja, në të cilat jetojmë – tha Atë Kantalamesa, e vaji i të vuajturve
në ditët tona është ai i cili buron nga ligështia që provohet përballë pyetjes: ‘Ku
është Zoti yt?’, dhe nga refuzimi sistematik i Krishtit e i fesë, në emër të kërkimit
historik objektiv që, në disa forma, reduktohet në subjektivizëm: “Epoka jonë,
e pushtuar nga ideja e seksit, s’ka si të mendojë për Krishtin, e zënë siç është me
problemet sentimentale. Po asistojmë rikthimin e flakës së ateizmit luftarak e agresiv
me markë shkencore, ose më mirë të themi, shkencistike. E kjo për arsye se prova e
ekzistencës së Zotit nuk gjindet ndër librat, as ndër laboratoret e biologjisë, ku
e kërkojnë këta vëllezërit tanë, por në jetë. Në jetën e Krishtit, para së gjithash”. E
ekzistenca e Zotit – vijoi Atë Kantalamesa, dëshmohet edhe në jetën e shenjtorëve
e të dëshmitarëve të panumërt të fesë. E vërtetohet edhe ndër mrekullitë që kreu Jezusi,
si provë të së vërtetës së tij, provë që Zoti vijon ta japë, por që ateistët e flakin,
pa marrë fare mundimin ta shqyrtojnë: “Asistojmë në garën e atyre që përpiqen
të paraqesin një Krisht, që i shkon për shtat njeriut të sotëm, duke e zhveshur nga
çdo veti e mbinatyrshme. Një Jezus që propagandon ide morale, dije të kollajtë, me
karakter sociologjik, jo teologjik. Jezusi është çliruar jo vetëm nga dogmat e Kishës,
por edhe nga Shkrimet Shenjte e nga Ungjilli! Atëherë cilat janë burimet që mbeten
për të folur për Të, që të mos kthehet thjeshtë në fantazi? Natyrisht, apokrifet! E
të vjen të qash kur mendon – shtoi rregulltari kapuçin – se për t’iu kundërvënë ligjit
të Zotit, zgjidhet kënaqësia e çrregullt, që pastaj kthehet kundër vetë njeriut, sepse
është kalimtare në vetvete e shumë shpejt ngjall mërzi e lodhje. Pastaj predikatari
i Shtëpisë Papnore vijoi: “Kisha ka qarë e pshterëtirë, kohët e fundit, për
sjelljet e neveritshme të disa prej ministrave e barinjve, në vetë gjirin e saj. Ka
ardhur koha të bëjmë atë që është më e rëndësishmja: të qajmë me lot për faqe para
Zotit, të vuajmë thellësisht, ashtu si vuan Hyji. Vetëm kështu nga gjithë kjo e keqe,
mund të vijë e mira. Megjithatë është për t’u theksuar diçka që këta vëllezërit tanë
fatzinj duhet ta kishin shmangur pa tjetër: shfrytëzimin e zhurmës për të nxjerrë
përfitime nga mëkati i tyre, duke dhënë intervista, duke shkruar kujtime e duke bërë
që faji i tyre të bjerë mbi eprorët ose mbi bashkësitë kishtare”. Mund të
qash nga dhimbja, por edhe nga emocioni – vijoi Atë Kantalamesa; në të vërtetë lotët
më të bukur janë ata që mbushin sytë kur - të ndriçuar nga Shpirti Shenjt – shijojmë
e shikojmë sa i mirë është Zoti: “Mendoj se lot të këtij tipi duhet të kenë
rrjedhur nga sytë e Shën Agostinit, kur shkruante në “Rrëfimet” e tij: “Aq shumë na
deshe, o Atë i Mirë, sa nuk e kurseve Birin tënd të vetëm, por na e dhurove ne të
gjithëve! Sa fort na deshe!”Kështu, pra – përfundoi predikatari kapuçin – në rendin
e ri të propozuar nga Jezusi, fjalën e fundit nuk e ka vuajtja, por gëzimi i një
jete të mbushur përplot me Zotin!