2006-12-13 17:44:04

Të krishterët në këtë Kohë të Ardhjes t’ia hapin portat Krishtit me vepra të mira konkrete – theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shenjtorëve Timoteu e Titi.


(13.12.2006 RV)RealAudioMP3 Koha e Ardhjes – kohë veprash të mira për të krishterët: këtë theksoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Ati i Shenjtë i shprehu mirënjohjen Kalabrisë për dhuratën e Bredhit të Krishtlindjes, që tashmë lartohet me të 33 metrat e veta në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit të cilin, së bashku me Shpellën e Betlehemit, do ta zbukurojë për festat e mëdha.
Katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithsme, Ati i Shenjtë ia kushtoi dy bashkëpunëtorëve të ngushtë të Apostullit të Popujve: Timoteut e Titit, që e shoqëruan Palin në shtegtimet e tij misionare nga Azia e Vogël në Maqedoni, duke e çuar fenë e re, në të cilën sapo ishin kthyer, ndër të krishterët e parë të Efezit e të Korintit. Shën Pali e respektonte aq shumë Timoteun – shpjegoi Papa – sa ta quante publikisht ‘alter ego’, dmth një Pal tjetër. Në një nga letrat drejtuar bashkësive të para të krishtera, Shën Pali shkruan: “Nuk kam asnjë tjetër me të cilin më përkon shpirti, që të kujdeset pa kursim për ju, ashtu si do të kisha bërë unë vetë”. Edhe Titin – vijoi Papa – Shën Pali e quajti “biri im i vërtetë në fenë e përbashkët’. E ai më pas u bë simbol i paqes që sillte me vete feja e re, duke e çuar atë në gjirin e bashkësisë së trazuar të Korintit. Duke folur shkurtimisht për ngjarjet kryesore të jetës së tyre, Papa vërejti:
“Në se i vlerësojmë së bashku figurat e Timoteut e të Titit, vërejmë disa cilësi shumë domethënëse: më e rëndësishmja është se Pali u mbështet edhe tek bashkëpunëtorët për kryerjen e misioneve të veta. Ai natyrisht mbetet për antonomazi apostull themelues e bari i shumë Kishave. Gjithsesi duket qartë se ai nuk e bënte gjithçka vetë, por mbështetej ndër njerëz të besuar, që ia lehtësonin barrën e mundimit e të përgjegjësisë”.
Vërejtja e dytë – shtoi më pas Ati i Shenjtë - ka të bëjë me një dhunti tjetër të këtyre bashkëpunëtorëve: me gatishmërinë e tyre:
Burimet që flasin për Timoteun e Titin, vënë mirë në dukje gatishmërinë e tyre për të marrë mbi vete përgjegjësi të ndryshme, duke e përfaqësuar Palin edhe në raste jo të lehta. Me një fjalë, ata na mësojnë t’i shërbejmë Ungjillit me bujari, duke e ditur mirë se ky është shërbim që i bëhet vetë Kishës”.
Benedikti XVI e përfundoi katekizmin duke lexuar disa rreshta nga letra e Shën Palit Apostull drejtuar Titit: “Ata që besuan Hyjin, të mundohen të jenë të parët në vepra të mira. Kjo gjë eshtë e bukur dhe e dobishme për njerëz”. E ky është një mësim posaçërisht i përshtatshëm edhe për ditët, që na përgatisin për Krishtlindje:
“Përmes impenjimit tonë konkret duhet e mund të zbulojmë të vërtetën e këtyre fjalëve, e pikërisht në këtë kohë të ardhjes të pasurohemi edhe ne me vepra të mira e kështu t’i hapim portat e botës për Krishtin, Shëlbuesin tonë”.Para se të ndahej me shtegtarët në Sallën e Palit VI, Papa përshëndeti, ndërmjet tjerëve, përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese të Vatikanit, së bashku me një grup botuesish, me rastin e 80-vjetorit të themelimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.