2006-12-13 19:35:55

Së paku 56 vetë viktima atentatesh në Irak e lajme të tjera.


(13.12.06 RV) Së paku 36 vetë janë vrarë dhe 47 të tjerë janë plagosur në atentate të ndryshme në Bagdad e Kirkuk sot paradite. Pasdite, nga bombardimet me mortaja, gjithnjë në Bagdad, gjetën vdekjen së paku 20 persona të tjerë. Ndërkaq, presidenti amerikan Xhorxh Bush ka ndërmend ta bëjë të njohur strategjinë e re ndaj Irakut, jo për Krishtlindje siç qe parashikuar, por pas Vitit të Ri. Në konsultimet e tij me grupe të ndryshme politike e ushtarake, raporti i komisionit Bejker pothuaj nuk merret parasysh, megjithëse me të është dakord shumica e amerikanëve. Krerët ushtarakë e kanë këshilluar presidentin të shtojë numrin e trupave në Irak.

Negociatori iranian për çështjet bërthamore, Ali Larijani e quajti sot si “të papranueshme” projekt-rezolutën e OKB-së, paraqitur nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, e cila parashikon sanksione kundër qeverisë së Teheranit. Sipas tij, ky propozim i ri kufizon mundësitë e Iranit për të përdorur teknologjinë bërthamore për qëllime civile. Projekt-rezoluta do të shqyrtohet gjatë javës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Ndërkaq, në dy raste, në një intervistë të sekretarit të shtetit amerikan Gejts dhe të kryeministrit izraelit Olmert, është lënë të kuptohet se Izraeli zotëron bombën atomike. Në të vërtetë, kjo është diçka që dihet, por asnjëherë nuk është pranuar zyrtarisht. Fakti që u përmend, e ka detyruar Bashkimin Evropian të kërkojë sqarime të mëtejshme nga Tel Avivi dhe Iranin t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të marrë masa kundër këtij kërcënimi në Lindjen e Mesme.

Në Territoret Palestineze ashpërsohen tensionet ndërmjet lëvizjes islamike Hamas, e cila ka në dorë qeverinë, dhe partisë Al Fatah të presidentit Abu Mazen. Episodi i fundit ndodhi sot paradite, kur njerëz të armatosur vranë në Rripin e Gazës një komandat të Hamasit. Kryeministri palestinez, Hanijeh i grupit të Hamasit, u kthye sot nga Sudani, duke ndërprerë kështu një turne zyrtare një mujore në krejt Afrikën, që kishte shkaktuar protesta në vend, për shkak të gjendjes së vështirë politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.