2006-12-12 17:39:23

Zgjedhje të parakohshme në Territoret Palestineze e lajme të tjera.


(12.12.06 RV) Në Territoret Palestineze, pas vrasjes së djeshme të tre bijve të një funksionari të shërbimeve sekrete, presidenti Abu Mazen urdhëroi të disllokohen forcat e sigurisë në Rripin e Gazës. Në ndeshje ndërmjet përkrahësve të Hamasit e të Al Fatahut kanë mbetur të plagosur disa persona. Vëzhguesit ndërkombëtarë flasin për mundësinë e një lufte civile në Territoret Palestineze. Presidenti Abu Mazen do t’i flasë kombit të shtunën, për të shpallur zgjedhje të parakohshme. Nuk do të njoftojë datën e tyre, por do t’ia lerë derën të hapur organizatës Hamas për diskutime mbi formimin e qeverisë së unitetit kombëtar. Të hënën e ardhshme ai do të takojë në Ramallah, kryeministrin britanik Toni Bler. Ndërkaq, nesër do të jetë në Vatikan kryeministri izraelit, Olmert, që do të takohet me Papën Benedikti XVI.

Rritet shqetësimi i bashkësisë ndërkombëtare për ambiciet atomike të Iranit. Pritet një rezolutë e OKB-së, e cila të caktojë sanksione kundër republikës islamike. Kancelaritë perëndimore shprehën indinjatën e tyre edhe për konferencën që po zhvillohet në Teheran, ku të ashtuquajtur “ekspertë ndërkombëtarë” mbrojnë tezën se holokausti kundër hebrenjve gjatë Luftës II Botërore nuk ka ndodhur kurrë. Ndërkaq, brenda Iranit, studentët vazhdojnë kritikat e tyre ndaj qeverisë së Ahmadinexhadit, i cili u kundërshtua ashpër edhe dje, gjatë një fjalimi. Studentët kritikojnë mungesën e lirisë së shprehjes dhe shtypjen e disidentëve pas ardhjes në pushtet të Ahmadinexhadit







All the contents on this site are copyrighted ©.