2006-12-12 17:51:36

U paraqit Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2007: “Njeriu është zemra e paqes”.


(12.12.2006 RV) Në konferencën e shtypit, organizuar me këtë rast, folën kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes dhe sekretari i të njëjtit dikaster, imzot Gjampaolo Krepaldi. Më pas, gazetarët e pranishëm në sallë, bënë pyetje të shumta rreth problemeve të mprehta që prek Papa në mesazh.
Benedikti XVI shpjegon se e zgjodhi temën e mesazhit, duke menduar posaçërisht për fëmijët, ardhmëria e të cilëve rrezikohet nga shfrytëzimi dhe nga ligësia e të rriturve të pandërgjegjshëm. Vetëm duke respektuar njeriun – shkruan Ati i Shenjtë – promovohet paqja. Më pas kujton se dinjiteti i njeriut buron nga fakti se është krijuar sipas shembëllltyrës së Hyjit: njeriu, pra, nuk është vetëm diçka, por dikush”.
Paqja – saktëson Benediktit XVI – është dhuratë e Zotit, por edhe detyrë e njeriut, impenjim që nuk njeh pushim. Paqja shfaqet si në krijimin e një universi të rregullt e të harmonishëm, ashtu edhe në çlirimin njeriut, që ka nevojë të shpëtojë nga çrregullimi i mëkatit. Në botë, pra, ka një rend, i cili nuk është irracional ose pa kuptim, sepse në zanafillë është fjala e amshuar, është Arsyeja dhe jo Paarsyeshmëria: ka, pra, një logjikë morale, që duhet respektuar, një gramatikë të përbashkët, dmth një tërësi rregullash që të shtyjnë të veprosh sipas drejtësisë e solidaritetit e që janë të shkruara në ndërgjegjet e të gjithëve. E pikërisht respektimi i këtij ligji natyror është baza e madhe për dialogun ndërmjet njerëzve dhe themeli, pa të cilin nuk mund të ketë paqe të vërtetë .
Paqja – vijon Papa - kërkon përcaktimin e qartë të trashëgimisë së vlerave që janë tipike për njeriun. Në të vërtetë, paqja themelohet mbi respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve. Kisha, që mbron të drejtat themelore të çdo njeriu, kërkon në radhë të parë respektimin e jetës dhe të lirisë fetare të secilit. Respektimi i të drejtës për jetë, në çdo fazë të saj, ka rëndësi vendimtare, duke pasur mirë parasysh se jeta është dhuratë që nuk i përket plotësisht njeriut. Papa denoncon masakrat që shkelin rëndë të drejtën për të jetuar, që nga viktimat e konflikteve, të terrorizmit e të dhunës, tek vdekjet e shkaktuara nga uria, aborti, eksperimentet mbi embironet dhe eutanazia.
Në frontin e lirisë fetare – nënvizon Ati i Shenjtë – shumë besimtarë hasin vështirësi për t’i praktikuar publikisht e lirisht bindjet e tyre. Duke kujtuar episodet tragjike të kohëve të fundit, që flasin për ushtrimin e një dhune të egër, Papa vë në dukje me dhimbje se të krishterët vijojnë të persekutohen. Ka akoma regjime me karakter konfesional – vijon Ati i Shenjtë – që duan t’u imponojnë të gjithëve një fe të vetme, ashtu si ka edhe regjime indiferente, të cilat nuk ushqejnë persekutimin e dhunshëm, por talljen sistematike kulturore ndaj besimeve fetare. Në të dyja rastet nuk respektohet e drejta njerëzore themelore, me pasoja të rënda mbi bashkëjetesën paqësore.
Kërcënim për paqen është edhe pabarazia që ekziston akoma tragjikisht në botë, e që vërehet posaçërisht në shfrytëzimin e të mirave më të domosdoshme materiale si ushqimi, uji, banesa, mbrojtja e shëndetit. Pabarazi të tilla vërehen kryesisht në Afrikë. E kërcënim për paqen është edhe pabarazia ndërmjet burrit e gruas: Papa denoncon shfrytëzimin e grave dhe vizionet e disa kulturave që përpiqen ta mbajnë gruan nën sundimin e burrit.
Në rrugën për vendosjen e paqes – vijon Benedikti XVI – vërejmë një lidhje të ngushtë ndërmjet ekologjisë së natyrës dhe ekologjisë njerëzore, dmth ndërmjet respektimit të ambientit dhe të strukturës natyrore e morale të njeriut. Sot - nënvizon Ati i Shenjtë – vërejmë një shfrytëzim të ambientit, të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, nga i cili lindin padrejtësi, antagonizma, varfëri e përjashtime të reja. Shkatërrimi i ambientit – lexojmë në Mesazhin papnor – përdorimi i tij për interessa egoiste dhe shtënia në dorë me dhunë e pasurive të tokës bëhen burim konfliktesh e luftash, pikërisht sepse janë fryt i konceptimit çnjerëzor të zhvillimit.
Papa mendon se duhet të kapërcehen vizionet e padrejta mbi njeriun, që bazohen mbi paragjykimet ideologjike e kulturore, mbi interesat politike dhe ekonomike. E duhen kapërcyer sidomos konceptimet e papranueshme të Zotit, që shërbejnë për të nxitur urrejtje e dhunë. Benedikti XVI pohon qartë se: “Lufta në emër të Zotit nuk mund të pranohet kurrë!”.
Por paqja rrezikohet edhe nga indiferenca ndaj kuptimit të natyrës së vërtetë të njeriut. Shumë bashkëkohas e mohojnë se natyra e njeriut është e veçantë dhe i japin përgjigje nga më të çuditshme pyetjes: ‘Ç’është njeriu?’. Edhe konceptimi i gabuar i njeriut pengon dialogun e vërtetë dhe i hap rrugën dobësimit të të drejtave të njeriut, të cilat propozohen si absolute, por ngrihen mbi një bazë relative. Kështu kur këto të drejta shqetësojnë ndokënd, mund të lihen lehtësisht mënjanë. Të drejtat mund të mbrohen e të jenë të vlefshme gjithnjë, kudo e për të gjithë vetëm në se sqarohet plotësisht fakti se janë të rrënjosura në vetë natyrën e njeriut. Pastaj kuptohet vetvetiu – shton Benedikti XVI duke cituar Mahatma Gandin – se të njeriu ka të drejta, por ka edhe detyra. “Ganzhi i të drejtave zbret nga Himalaja e detyrave”.
Në Mesazh Papa flet edhe për të drejtën ndërkombëtare humanitare, që për fat të keq nuk zbatohet si duhet, gjë që e dëshmoi lufta në Libanin e Jugut dhe më pas denoncon përsëri plagën e terrorizmit.
Ati i Shenjë shpreh shqetësimin e tij të thellë për retë e zeza që vijonë të dynden mbi horizontin e njerëzimit për shkak të armëve bërthamore, gjë që ushqen frikën për një katastrofë të mundshme atomike, prandaj uron të ecet drejt zhdukjes së tyre.Së fundi Benedikti XVI i fton të gjithë të krishterët jenë veprimtarë të palodhur të paqes, mbrojtës të guximshëm të dinjitetit të njeriut dhe të të drejtave të tij të paprekshme, duke dëshmuar atë që na e zbuloi Jezusi: se Hyji është dashuri dhe se vokacioni më i madh i çdo njeriu është pikërisht dashuria”.







All the contents on this site are copyrighted ©.