2006-12-12 17:38:38

Kamion-bomba në Bagdad. 61% e amerikanëve kundër luftës.


(12.12.06 RV) Edhe të presësh në radhë për punë nuk është më e sigurtë në Irak. Një automobil dhe një kamion-bombë shpërthyen sot paradite në një lagje të Bagdadit, në mes të punëtorëve shiitë që shisnin në rrugë krahun e punës. Bilanci, akoma i përkohshëm, flet për 60 të vdekur e 221 të plagosur. Është një nga atentatet më të përgjakshme të periudhës pas Sadam Hyseinit. Në Samarra, po sot, shpërtheu një bombë në xhaminë e famshme, që njihet me emrin “Kupola e artë”. Është pikërisht xhamia shiite, që u sulmua në shkurtin e këtij viti, sulm që hapi ndeshjet e përgjakshme ndërmjet shiitëve dhe sunitëve, të cilat vazhdojnë edhe sot në Irak. Për fat të mirë nuk pati viktima.
Ndërkaq, presidenti amerikan Xhorxh Bush vazhdon konsultimet për të përcaktuar strategjinë e re ndaj Irakut. Sot, ai është takuar në Shtëpinë e Bardhë me zv.presidentin irakian Tarik Al Hashemi, sunit. Po sot, ai ka folur në videokonferencë më krerët ushtarakë amerikanë në Irak, ndërsa nesër do të shkojë në Pentagon. Para se t’i flasë kombit, Bush pret raportet mbi Irakun që Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar Pentagonit, Departamentit të Shtetit dhe ekspertëve të Lindjes së Mesme të stafit të presidentit. Ushtarakët e kanë këshilluar sot presidentin Bush të mos zvogëlojë numrin e trupave në Irak, ndërsa sipas një sondazhi 61% e amerikanëve mendojnë se lufta as që duhej të kishte filluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.