2006-12-11 17:53:14

Dhunë në parlamentin palestinez; ndeshje pas vdekjes së ish-diktatorit Pinoçet në Kili e lajme të tjera.


(11.12.06 RV) Dhunë në parlament në Territoret Palestineze. Tre fëmijë, bij të një funksionari të sigurimit palestinez u vranë sot paradite në një atentat, i cili kishte për qëllim vrasjen e agjentëve të policisë, që ruanin shkollën. Funerali i të vegjëlve u shndërrua në një manifestim para Parlamentit, i cili degjeneroi në gjakderdhje. “Është krimi më i urryer që ka ndodhur ndonjëherë”, deklaroi presidenti Abu Mazen, që kërkoi kapjen e menjëhershme të fajtorëve.
Ndërkaq, ndërmjet palestinezëve rritet zemërimi për arësye të vendimit të Izraelit, që të mos lejojë një delegacion të OKB-së, udhëhequr nga ipeshkvi anglikan e çmimi Nobel për paqe, Desmond Tutu të vizitojë Gazën. Delegacioni kishte për detyrë të kryente hetime rreth bombardimit izraelit, që gabimisht qëlloi mbi civilët më 8 nëntorin e kaluar në Beit Hanun, duke shkaktuar vdekjen e 19 personave.

Në Liban, u zhvillua dje pa probleme manifestimi i promovuar nga opozita për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fuad Siniora. Ndërkaq, edhe nga Siria arrijnë garanci për paqen. Presidenti sirian Bashar Asad garantoi impenjimin e tij për stabilitetin e Libanit.

U hap sot në Teheran konferenca ndërkombëtare mbi Holokaustin, e kritikuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, pikërisht për qëndrimin e presidentit iranian Ahmadinexhad, i cili pretendon se shfarosja e hebrejve gjatë Luftës II Botërore është thjesht një mit historik, që ka shërbyer për themelimin e shtetit të Izraelit. Ahmadinexhad u kundërshtua sot edhe nga një grup studentësh, gjatë një fjalimi që po mbante në Universitetin e tyre, po në kryeqytetin e Iranit. Me thirrje “vdekje diktatorit”, studentët dogjën edhe portrete të tij.

99 të arrestuar dhe 49 të plagosur: ky është bilanci i ndeshjeve që shpërthyen në Kili gjatë natës, pas vdekjes së ish-diktatorit Pinoçet. Nesër zhvillohet funerali i 91-vjeçarit, i cili mori pushtetin në Kili në vitin 1973, pas grushtit të shtetit që solli vdekjen e presidentit Salvador Aliende, dhe e mbajti atë deri në vitin 1990. Regjimi diktatorial i Pinoçetit mbetet i famshëm për shtypjen e egër që ushtroi ndaj opozitës demokratike. Gjatë më pak se 20 vjetëve, u zhdukën mëse 2 mijë vetë dhe u torturuan 27 mijë. Ironi e fatit, vdekja e tij dje, më 10 dhjetor, përkoi me Ditën Botërore të të drejtave të njeriut.

Iraku hapi selinë e tij diplomatike në Siri, pas gati një çerek shekulli ndërprerjeje të marrëdhënieve dipllomatike. Në terren vazhdon akoma dhuna, por ka edhe ndonjë lajm pozitiv. Pas 6 ditësh sekuestrimi nga të panjohur, u kthye në seminarin e Patriarkanës së Kaldejve, në Bagdad, at Sami Al Rajis.

Në botë, 150 milion vajza të vogla e 73 milion djem janë viktima të dhunës fizike ose seksuale. Të dhënat alarmante vijnë nga raporti i fundit i UNICEF-it, që sivjet u kushtohet “grave dhe fëmijëve”. Organizata e OKB-së, që merret me kushtet e jetesës së fëmijëve, citon Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila i ka mbledhur këto shifra në vitin 2002.







All the contents on this site are copyrighted ©.