2006-12-10 16:51:53

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(10.12.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës së Ardhjes.
U përkujtua edhe festa e Zojës së Loretos, Shën Mauri martir e Shën Gregori II, papë.
Nesër, e hënë, është festa e Shën Damazit I papë. Na kujton se Zoti ynë po vjen të na shëlbojë, të na i falë mëkatet e të na shërojë trupin e shpirtin.
Në festën e Zojës së Guadalupes, që do të kremtohet të martën, ndjehet tashmë atmosfera e një bote të përtrirë, në të cilën asnjë njeri që i beson me gjithë zemër Zotit, nuk do të humbasë, sepse Krishti është gjithnjë në kërkim të deles së humbur.
Në festën e Shën Luçisë, virgjër e martire e Sirakuzës, që do të kremtohet të të mërkurën, liturgjia na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tonë lumninë e tij.
Të enjten e ardhshme, duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur, meditimi mbi leximet liturgjike të festës na nxit t’i drejtojmë vetes pyetjen: “A jemi aq të përgatitur, sa ta presim Jezusin edhe kur nata është tepër e errët?”.
Shën Valeriani, ipeshkëv i Afrikës e martir, që do të kremtohet të premten e ardhshme, na fton t’i drejtojmë Hyjit lutjen: “O Hyj, më jep dijen e nevojshme për të të njohur Ty, me vetëdijën se kush ndjek Zotin, do të ketë dritën e jetës”.
Të shtunën do të kremtohen Shën Davidi mbret e profet e Shën Adelaidja perandoreshë. Na kujtojnë se na kërcënon gjithnjë rreziku të mos jemi në gjendje ta dallojmë, ndërmjet zërave të shumta që vijnë nga të katër anët e botës, zërin i cili përgatit ardhjen e Mesisë. Na ndihmo, o Zot, t’i njohim menjëherë të dërguarit e tu.










All the contents on this site are copyrighted ©.