2006-12-10 16:51:42

Atmosfera e Krishtlindjes


(10.12.2006 RV)Atmosfera e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri ka filluar tashmë të ndjehet kudo: nuk e kemi fjalën për vitrinat e dyqaneve; kur flasim për atmosferën e festës së madhe, kemi parasysh "vitrinat e shpirtit", nismat e paqes e të drejtësisë, të bamirësisë e të dashurisë së krishterë:
Kujtojmë se tashmë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ka filluar përgatitja e Shpellës tradicionale të Betlehemit.
Tradita filloi që në vitin 1982, sipas dëshirës së shprehur nga Papa Gjon Pali II. Që atëherë, në përkujtim të Lindjes së Zotit, në këmbët e Obeliskut të Vatikanit e në kornizën madhështore të shtyllave të Berninit, ngrihet çdo vit një Shpellë e re e Betlehemit, sipas modeleve marrë nga kryeveprat e pikturës botërore kushtuar ngjarjes më të madhe të historisë së njerëzimit: Mishërimit të Zotit. Për realizimin mendon Komisioni Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Në Shpellë vendosen çdo vit 14 figura kryesore, që lëvizen në pozicione të ndryshme, pa cënuar traditën françeskane. 9 nga shtatoret u realizuan që më 1842 nga Shën Vincenzo Palloti, ndërsa 5 u shtuan gjatë vitesh.
Në të djathtë të Shpellës së Betlehemit vendoset Bredhi i Krishtlindjes, i cili i dhurohet çdo vit Papës nga zona të ndryshme malore të Evropës. Bredhi stoliset me xhingla të arta e të argjendta, e, sidomos, me drita, që krijojnë në Sheshin e Shën Pjetrit një atmosferë plot gjallëri, duke përhapur kudo mesazhin e Krishtlindjes: mesazhin e dritës, të paqes e të shpresës.
Për herë të parë Bredhi e Krishtlindjes u vendos në Sheshin e Shën Pjetrit më 1982. Më 1983 pema madhështore ishte dhuratë e zonës federale të Insbrukut (Tirol-Austri), ndërsa sivjet bredhi që i dhurohet Papës për Vitin e Ri 2007 ka sadopak aromë Shqipërie, sepse vjen në Sheshin e Shën Pjetrit nga Kalabria, ku banojnë prej shekujsh bashkatdhetarët tanë, arbëreshët. Bredhi i sivjetëm, që do të pritet në pyjet e Malit Garilione, është 35 metra i lartë e peshon 150 kuintal. Do të ndriçohet nga 20 mijë drita të cilat do të ndizen gjatë një ceremonie tradicionale që do të mbahet më 20 dhjetor. Do të jetë simbol i bukurive të Kalabrisë dhe i shpresave të banorëve të saj.
Bredhi i Krishtlindjes, simbol i krishterë, e ka origjinën në vendet Verievropiane. Me sa duket, lidhet me festën e Adamit e të Evës, që në Gjermani kremtohej më 24 dhjetor. Bredhi, degët e të cilit zbukuroheshin me fryte simbolike, konsiderohej si Pema e Parrizit. Më vonë, në maje të pemës, u shtua edhe Ylli - kometa që u priu Tre Mbretërve drejt shpellës, ku ishte mishëruar Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.