Benedikti XVI: Lutja Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës (teksti plotë)
(8.12.2006 RV)O Mari, Virgjër
e papërlyer, edhe sivjet ndodhemi, me dashuri bijnore, në këmbët e figures
sate për të të paraqitur rishtas nderimin e bashkësisë së krishterë e të qytetit të
Romës. Ndalemi këtu në lutje, duke ndjekur traditën e nisur nga papët e mëparshëm
në ditën solemne, në të cilën liturgjia kremton të Zënët tënd të papërlyer, mister
që është burim gëzimi e shprese për të gjithë besimtarët. Të përshëndesim e të thërrasim
me fjalët e Engjëllit: ‘Hirplote’ (Lc 1,28), emri më i bukur me të cilin të
thirri vetë Zoti që prej amshimi. “Hirplote” je, o Mari, plot dashuri hyjnore
që nga çasti i parë i jetës sate, e paracaktuar nga Hyji për të qenë Nëna e Shpërblyesit,
bashkëpunëtorja e ngushtë e Tij në misterin e shëlbimit. Në të Zënët tënd të papërlyer
shkëlqen grishja e nxënësve të Krishtit, të thirrur për t’u bërë, me hirin e Tij,
shenjtorë e të papërlyer në dashuri (cfr Ef 1,4). Në ty ndriçon dinjiteti i çdo njeriu,
që është gjithnjë i çmuar para syve të Krijuesit. Kush i sjell sytë nga Ti, o Nënë
gjithëshenjte, nuk e humbet kurrë paqen, sado të vështira të jenë provat e jetës.
Ndonëse e hidhur është përvoja e mëkatit, që e shëmton dinjitetin e bijve të Hyjit,
kush mbështetet tek Ti, rizbulon bukurinë e së vërtetës e të dashurisë dhe rigjen
shtegun që të çon në shtëpinë e Atit. “Hirplote” je ti, o Mari, që duke
pranuar me ‘po’-në tënde planet e Krijuesit, na hape rrugën e shpëtimit. Në shkollën
tënde, na mëso edhe ne t’i themi ‘po’ vullnesës së Zotit. Një ‘po’ që bashkohet me
‘po’-në tënde pa asnjë kusht e pa asnjë hije, për të cilën Ati qiellor deshi të kishte
nevojë për të lindur Njeriun e ri, Krishtin, të vetmin Shëlbues të botës e të historisë.
Na jep guxim t’i themi ‘jo’ mashtrimeve të pushtetit, të parasë, të kënaqësisë; fitimeve
të pandershme, korrupsionit, hipokrizisë, egoizmit e dhunës. T’i themi ‘jo’ Djallit,
princit mashtrues të kësaj bote e ‘po’ Krishtit, që shkatërron pushtetin e së keqes
me gjithëpushtetin e dashurisë. Ne e dimë se vetëm zemrat e penduara, të kthyera në
rrugën e dashurisë, që është Zoti, mund të ndërtojnë një ardhmëri më të mirë për të
gjithë. “Hirplote”, je Ti, Mari! Emri yt është për të gjitha breznitë
peng i sigurtë shprese. Po! Sepse, siç shkruan Poeti i madh Dante, për ne të vdekshmit
Ti ‘je burim i gjallë shprese” (Par., XXXIII, 12). Te ky burim, te gurra e Zemrës
sate të papërlyer, vijmë përsëri, shtegtarë plot me besimin se në Ty do të gjejmë
fe e ngushëllim, gëzim e dashuri, siguri e paqe. Virgjër “hirplote”, tregohu
Nënë e ëmbël dhe e kujdeshsme për banorët e këtij qyteti, që është yti, sepse e gjallëron
dhe e drejton shpirti i vërtetë ungjillor; tregohu rojtare vigjilente për Italinë
e për Evropën, në mënyrë që nga rrënjët e lashta të krishtera popujt të thithin limfën
e re për të sotmen e për të ardhmen e tyre; tregohu Nënë e mëshirshme për mbarë botën
që, duke respektuar dinjitetin njerëzor e duke kundërshtuar çdo formë të dhunës e
të shfrytëzimit, të hidhen themelet e patundura të qytetërimit të dashurisë. Tregohu
Nënë posaçërisht për ata që kanë më tepër nevojë: për të pambrojturit, për të braktisurit,
për të pastrehët, për viktimat e një shoqërie që tepër shpesh e flijon njeriun për
qëllime e interesa të tjera.Tregohu Nënë e të gjithëve, o Mari, e dhurona
Krishtin, shpresën e botës! “Monstra Te esse Matrem”, o Virgjër e papërlyer, hirplote!
Amen!